Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka paguar për vdekjen e të paktën katër herë më shumë fëmijëve afganë sesa ka pranuar më parë. Pagesat e kompensimit janë lëshuar për 64 fëmijë, ndonëse për 16 u pranua publikisht.
Të gjithë u vranë gjatë luftimeve të forcave ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve 2006 dhe 2014. Shifrat e reja vijnë nga kërkesat për Lirinë e Informacionit të bëra nga organizata bamirëse Aksioni për Dhunën e Armatosur (AOAV).
AOAV beson se numri i vdekjeve të regjistruara të civilëve “të shkaktuar nga forcat britanike” ka të ngjarë të jetë një nënvlerësim.
Nga ato vdekje që janë regjistruar, numri aktual i fëmijëve të vrarë mund të jetë në fakt deri në 135, sepse disa nga viktimat përshkruhen në dokumentet e Ministrisë së Mbrojtjes (MM) thjesht si djem dhe vajza, ndërsa mosha dhe rrethanat e vdekjes s’janë të përfshira gjithmonë.
AOAV thotë se është e mundur që disa nga ata 135 të jenë të rritur, por gjasat që ata të kenë qenë nën 18 vjeç janë të larta për shkak të moshës mesatare shumë të re në Afganistan./UBTNews/