Të paktën 58 palestinezë janë vrarë në bombardimet izraelite në Rripin e Gazës gjatë natës dhe mëngjesit të së enjtes, sipas tri spitaleve. Ushtria izraelite goditi shtëpitë në mes të natës, duke vrarë burra, gra dhe fëmijë derisa po flinin.
Izraeli i rifilloi bombardimet në Gazë të martën, duke e prishur armëpushimin që e kishte ndalur luftën dhe kishte ndihmuar në lirimin e disa dhjetëra pengjeve.
Qeveria izraelite e fajësoi Hamasin – grupin e shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE- për rifillimin e luftimeve, pasi grupi militant nuk e pranoi një propozim të ri që dallon nga marrëveshja e nënshkruar mes palëve.
Më shumë se 400 palestinezë u vranë vetëm të martën, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila kontrollohet nga Hamasi.