Një sulm ajror izraelit ka vrarë të paktën 38 persona në Han Junis, thanë zyrtarët shëndetësorë në Gazë më 25 tetor.
Sulmi, që ndodhi mëngjesin e së premtes, vjen teksa ushtria izraelite po vazhdon ofensivën në Liban dhe Gazë, pavarësisht presionit ndërkombëtar për armëpushim.
Ushtria izraelite tha përmes një njoftimi se “një numër i terroristëve janë eliminuar përmes sulmeve ajrore dhe tokësore” në jug të Gazës. Përderisa forcat izraelite vazhdojnë të operojnë në mbarë Rripin e Gazës, javëve të fundit Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore dhe tokësore në veri të enklavës, pasi në këtë pjesë, sipas ushtrisë izraelite, kanë nisur të rigrupohen luftëtarët e Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit të vitit të kaluar në Izrael. Që atëherë, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.
Ndërkaq, në fillim të tetorit të këtij viti tensionet mes Hezbollahut dhe Izraelit u përshkallëzuan dhe Izraeli njoftoi për nisjen e një operacioni tokësor në jug të Libanit kundër Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit.
Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka futur në listën e tij të zezë krahun ushtarak, por jo dhe partinë politike të grupit. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez./UBTNews/