Forcat izraelite vranë të paktën 14 palestinezë gjatë një bastisjeje në Bregun e pushtuar Perëndimor, ndërkaq një shofer i autoambulancës u vra teksa po barte të plagosurit nga një sulm i ndarë nga kolonët hebrenj, thanë autoritetet palestineze.
Forcat izraelite nisën një bastisje të madhe të premten në zonën e Nur Shams, afër qytetit Tulkarm. Në këtë zonë strehohen refugjatë të cilët janë pasardhës të palestinezëve që u zhvendosën nga koha e luftës në vitin 1948, kohën kur u krijua shteti i Izraelit.
Brigada e Tulkarmit, që përbëhet nga disa fraksione palestineze, bëri të ditur se luftëtarët e saj kanë këmbyer zjarr me forcat izraelite.
Lufta në Gazë, mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – ka lënë në hije dhunën në Bregun Perëndimor.
Që nga nisja e luftës në Gazë më 7 tetor, mijëra palestinezë janë arrestuar dhe qindra janë vrarë gjatë operacioneve të ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor.
Bëjnë të ditur autoritetet shëndetësore palestineze se janë vrarë të paktën 14 palestinezë në Bregun Perëndimor. Ndërkaq, ushtria izraelite tha se kanl vrarë një numër të militantëve dhe kanë arrestuar disa të tjerë, duke shtuar se të paktën katër ushtarë janë të plagosur gjatë këmbimit të zjarrit./REL