Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 27 të tjerë janë lënduar në një aksident të rëndë trafiku, ku janë përfshirë rreth 50 automjete në juglindje të Bullgarisë.
Aksidenti ndodhi të martën, në një segment të autostradës në rajonin e Jambollit, ku mjegulla e dendur dyshohet se ka vështirësuar dukshmërinë. Përplasjet ndodhën në të dyja anët e autostradës.
Lajmi është raportuar nga agjencia bullgare e lajmeve BTA, duke iu referuar guvernatorit të rajonit, Georgi Chalakov.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar ekipet e policisë, zjarrfikësve dhe emergjencës mjekësore. Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregojnë vetura dhe kamionë të grumbulluar në të dyja anët e rrugës, disa prej tyre të përmbysur, të shkatërruar rëndë ose të dalë jashtë autostradës.
Kryeinspektori Todor Mishinev nga Drejtoria Rajonale e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Jamboll ka deklaruar për televizionin Nova se disa persona kanë mbetur të bllokuar brenda automjeteve të tyre.
“Për momentin, përparësi kanë operacionet e shpëtimit. Pasi ato të përfundojnë, do të zhvillohen veprimet procedurale dhe hetimore”, ka deklaruar ai.
Sipas BTA-së, 27 persona të lënduar janë dërguar në spitalet e rajonit për trajtim mjekësor.
Operacionet e shpëtimit dhe ndërhyrjes po vazhdojnë, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë detaje për rrethanat dhe shkaqet e aksidentit./A.K/
