Mundësia që jeta të kthehet në normalitet në Turqinë jugore u shkatërrua pasi një tërmet me magnitudë 6.3 goditi zonën kufitare Turqi-Siri të hënën mbrëma.
Ky ishte një rikthim i traumës së fundit në Gaziantep, që ishte një ndër dhjetë provincat më të goditura nga tërmeti që la mbi 46 mijë të vdekur në Turqi dhe Sirinë fqinje.
Familjarët ishin ulur rreth tavolinës për darkë kur ndodhi tërmeti i ri. Një tërmet me magnitudë 5.8 ballë ndodhi tre minuta më vonë.
“Na bëri të humbim shpresën në normalitetin e rivendosur ngadalë që po përpiqeshim të rindërtonim”, tha 21-vjeçari Mert Özyurtkan, një student inxhinierie në Universitetin e Gaziantepit.
“Po flisja me miqtë e mi se si duhej ta motivonim veten për t’u kthyer në rutinën tonë të përditshme para tërmetit, si një mënyrë e qëndrueshme për të përballuar këtë tragjedi që na ndodhi”, tha ai për Al Jazeera.
“Por me sa duket, kjo është normalja jonë e re dhe Zoti e di se sa do të zgjasë”, deklaroi ai tutje.
Java në qytet kishte nisur me shumë shpresë: pothuajse të gjitha dyqanet u hapën, supermarketet iu kthyen normalitetit dhe transporti publik punonte me orar të plotë.
Babai i Özyurtkan ishte gati të rihapte dyqanin e tij të bakllavasë të martën në mëngjes, pas disa kontrolleve mbi sigurinë e ndërtesës. Por dridhjet e natës të së hënës bënë që njerëzit të nxitonin në rrugë në të ftohtë, përsëri duke fjetur në makina dhe strehimore, plotësisht të vetëdijshëm për atë që mund të ndodhte dhe të vetëdijshëm për atë që kishin përjetuar herën e fundit.
“[Këto] tërmete thyen besimin tim në banesën time”, tha Uğur Ülger, një studiues në Universitetin e Gaziantepit, i cili sapo ishte kthyer në qytet kur goditën tërmetet e reja.
“Na mungon normaliteti”
Nur Ismail, 22-vjeçare, tha se ajo ka përjetuar një gjendje të vazhdueshme shoku gjatë periudhës së fundit. Ajo ndjeu se jeta e saj e përditshme ishte kthyer në një harresë ku nuk ishte në gjendje të kuptonte nëse ishte jeta reale apo ishte në ëndërr.
“Gjatë fundjavës, më në fund kisha vendosur të rifilloja një rutinë normale, të shkoja për një shëtitje vetëm dhe të takoja disa miq, pasi u ndjeva sikur të jetoja në një shpellë për dy javë”, tha Ismail për Al Jazeera. “Por u tremba dhe u ktheva direkt në shtëpi. Nuk mund të jemi përsëri normalë. Na mungon normalja. Vazhdoj të pyes veten pse po na ndodh kjo”.
Ayham Kalaji, një punonjës humanitar me origjinë nga Siria, jetoi në Gaziantep gjatë viteve të fundit. Ai tha se tërmetet ia kanë shkatërruar jetën e përditshme po aq sa konflikti sirian kur ai jetonte në Aleppo.
Ai iku nga lufta në vendin fqinj për të rifilluar jetën e tij, por kjo fatkeqësi e fundit e bëri atë të humbasë interesin për punën e tij.
“Më dha një perspektivë të re dhe më shtyu t’i jepja përparësi gjërave”, tha Kalaji për Al Jazeera. “Jeta nuk ka të bëjë me të pasurit një karrierë të suksesshme, punë më të mirë apo më shumë para, por ka të bëjë me të jetuarit në shëndet të mirë me familjen dhe miqtë”.
Ai tha se e gjithë kjo situatë e paqëndrueshme i ka sjellë kujtime të tmerrshme nga lufta.
Të gjithë të mbijetuarit do të kenë nevojë për një lloj mbështetjeje psikologjike për ekspozimin ndaj traumës./UBTNews/