Ditën e enjte pritet të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në nivel të ekspertëve. Aty ku zakonisht zhvillohet dialogu mes këtyre dy shteteve, në Bruksel, pritet të vazhdohet diskutimi ndërmjet palëve për pretendimet financiare.
Kjo është konfirmuar nga Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian, ku pas më shumë se një muaji pauze, koordinatori shtetëror për dialogun, Skender Hyseni, do të vazhdojë negociatat të mbetura në gjysmë, që prej takimit të fundit të 29 tetorit.
Nga zyra e kryeministrit, Avdullah Hoti, janë shprehur se Skender Hyseni me vete do të marrë edhe ekspertët e ekonomisë, në kryeqytetin evropian.
Kujtojmë se që nga fillimi i shtatorit, liderët e shteteve që po marrin pjesë në dialog nuk janë takuar mes vete më, as Avdullah Hoti dhe as Aleksandër Vuçiq./UBTNews