Edhe njëherë ka dështuar mbajtja e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, kjo për shkak të mungesës së korumit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se në bazë të kushtetutës i lejohet atij që të caktojë datën e mbajtjes së seancës së Kuvendit dhe se njëjta do të mbahet me datën 18.
“Kjo është fatkeqësisht e disata herë që kryesia e Kuvendit nuk po mund të mblidhet dhe nuk po ka kuorum. Kjo është vërtetë shqetësuese për funksionimin e Republikës së Kuvendit të Kosovës. megjithatë në institucionet tona dhe kushtetuta e ka paraparë që kuvendi nuk mund të bllokohet prej ndonjë trupi të veçantë. Për këtë arsye neni 67 i Kushtetutës së Kosovës ia lejon kryetarit të kuvendit të thërras seancë dhe të organizojë rendin e ditës[…]Vendosëm që me vendim të kryetarit të kuvendit të caktojmë seancën me 18 nëntor në orën 10. Pastaj në këtë seancë pritet të caktohet edhe nënkryetari nga PDK pasi që Hamza u zgjedh kryetar i Mitrovicës kështu që pritet në seancën e radhës ta kompletojmë”, tha Konjufca pas mbledhjes së Kryesisë.
Konjufca tha se Lista serbe po e bojkoton mbledhjen e kryesisë qëllimshëm.
“Lista serbë është duke e bojkotuar qëllimshëm. Ne nuk pranojmë asnjëlloj shantazhi në kryesi të Kuvendit. Simiq po vjen në Kuvend por kur po e sheh që jemi 4 dhe është kourum i mjaftueshëm po largohet. Këtë e ka bërë edhe sot, nëpërmjet kësaj”, tha ai.