Rreth 35,000 fluturime të tjera kanë funksionuar pothuajse bosh, me aktivistët e klimës që i quajtën zbulimet “tronditëse”.
Më shumë se 5,000 fluturime krejtësisht të zbrazëta – pa pasagjerë – kanë fluturuar drejt ose nga aeroportet e Mbretërisë së Bashkuar që nga viti 2019, ka zbuluar The Guardian.
Sipas analizës së të dhënave nga Autoriteti i Aviacionit Civil, 35,000 fluturime të tjera komerciale kanë funksionuar pothuajse bosh që nga viti 2019, me më pak se 10% të vendeve të mbushura. Kjo bën një total prej rreth 40,000 “fluturime fantazmë”.
Udhëtimi ajror rezulton në më shumë emetime karboni në orë se çdo aktivitet tjetër i konsumatorit duke e bërë atë të jetë në fokus të aktivistëve të klimës. Ata i quajtën “tronditëse” këto zbulime dhe thanë se ishte e nevojshme një taksë për karburantin e avionit dhe planet për zgjerimin e aeroportit duhet të viheshin në dyshim.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i përshkroi fluturimet e tilla si “të dëmshme mjedisore”.
Përse realizohen këto fluturime? Kjo mbetet e paqartë.
Vetëm linjat ajrore i dinë arsyet, por nuk publikojnë të dhëna që shpjegojnë praktikën. Disa nga arsyet e përmendura nga linjat ajrore përfshijnë fluturimet e riatdhesimit të të infektuarve me Covid ose ripozicionimin e avionëve. Por këto arsyetime nuk mund të verifikohen dhe aktivistët thanë se nevojitet më shumë transparencë.
Të dhënat e reja japin pamjen më të qartë deri më tani të numrit të fluturimeve fantazmë në Mbretërinë e Bashkuar, pasi të dhënat e mëparshme numëronin vetëm nisjet ndërkombëtare.
“Publikimi i këtyre të dhënave është një hap në drejtimin e duhur, por ne kemi nevojë për më shumë transparencë për të kuptuar pse vazhdojnë këto praktika joefikase, ndotëse dhe për të mbajtur përgjegjës fajtorët kryesorë të linjës ajrore”, tha Tim Johnson në Federatën e Mjedisit të Aviacionit.
Të dhënat tregojnë një mesatare prej 130 fluturimesh plotësisht bosh – në muaj – që nga viti 2019. Numri i fluturimeve bosh mbeti në një nivel të ngjashëm para, gjatë dhe pas kufizimeve të udhëtimit për shkak të pandemisë. Kjo e hedhë poshtë arysetimin e disa linjave ajrore që përmenden ndikimin e Covid-19 në aviacion. /UBTNews/