UBT News

Të dënuarit në Dubravë po rinovojnë sallën e vizitave

Në kuadër të aktiviteteve të punës së organizuar nëpër institucione korrektuese në Qendrën Korrektuese në Dubravë, të dënuarit po rinovojnë sallën e vizitave familjare.

Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, e gjithë puna është duke u kryer nga të dënuarit e pavijoneve gjysmë të hapura dhe po udhëhiqet nga stafi i Qendrës Korrektuese Dubravë, ndërsa në aspektin profesional është duke u mbikëqyrur nga Divizioni i Inxhinieringut të SHKK-së.

“Pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia në vend të dënuarit nuk i kanë ndërprerë aktivitete e tyre të përditshme, andaj falë punës së tyre, dhoma e vizitave familjare po merr pamje tjetër. Përmes aktiviteteve të tilla, SHKK synon të ndikoi në rehabilitimin dhe risocializimin e personave të burgosur, e po ashtu të racionalizohet edhe buxheti i SHKK-së”, thuhet në njoftim.

Të dënuarit, përveçse kanë aktivitete të shumta edukative, sportive, ata zhvillojnë edhe aktivitete tjera me të cilat po shprehin talentin në punën dhe zanatet e tyre që ata zotërojnë.

“Puna e të dënuarave brenda institucioneve korrektuese normalizon edhe jetën e tyre të përditshme brenda qendrës korrektuese”, thuhet më tej./UBTNews

Exit mobile version