Shërbimi Korrektues i Kosovës në kuadër aktiviteteve të punës së organizuar nëpër institucione korrektuese, ka pranuar donacion nga OJQ Help Kosovo makinë për prodhimin e qeseve të mbeturinave.
Me fillimin e prodhimit të qeseve për mbeturina nga të burgosurit, përveçse synohet rehabilitimi edhe risocializimi i tyre, synohet edhe ulja e shpenzimeve ekonomike, e po ashtu edhe rritja e nivelit të higjienës dhe pastërtisë brenda institucioneve korrektuese.
“Vetëm në kontingjentin e parë janë prodhuar 120 mijë copë qese të mbeturinave, ku rrjedhimisht është kursyer buxheti i SHKK-së për 5 mijë euro. Puna është duke u kryer nga të burgosurit e BSL-së, ndërsa është duke u udhëhequr dhe mbikëqyrur nga Njësia Ekonomike e SHKK-së. Në punë janë të angazhuar rreth pesë të burgosur, e që gradualisht në vitin e ardhshëm synohet edhe në rritjen e kapaciteteve prodhuese, me çka do të rritet edhe numri i të punësuarve”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.
Aktualisht në Burgun e Sigurisë së Lartë janë duke funksionuar tri punëtori, në të cilat bëhet prodhimi i letrës higjienike, prodhimi i qeseve të mbeturinave, si dhe zdrukthëtaria.
“Në këto punëtori janë të angazhuar mbi njëzet të burgosur, ndërsa produktet e prodhuara do të përdoren për nevojat e të gjitha institucioneve korrektuese”, njofton SHKK./UBTNews