UBT News

Të arrestuarit nga Specialja po dërgohen në Hagë

Ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj, ish-këshilltari i presidentit Hashim Thaçi dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Fazliu janë transferuar për në Hagë, nga zyret e EULEX-it, ku janë mbajtur nga dita e djeshme.

Me automjete të blinduara e autoambulancë, të njëjtit janë nisur drejt Aeroportit të Prishtinës “Adem Jashari”, për t’u transferuar në Hagë me aeroplan privat.

Ata që nga dita e djeshme janë mbajtur në zyret qendrore të EULEX-it, në Fushë Kosovë. Kurse, sot familjarët dolën për t’i përshëndetur për së largu të dyshuarit. kanë shprehur shqetësim se nuk janë lejuar të kontaktojnë e as t’i shohin ata gjatë kësaj kohe sa u mbajtën në zyret e EULEX-it.

Kilaj, Smakaj, Fazliu dyshohet se janë intervistuar për pengim të procesit gjyqësor që po zhvillohet atje.

ZPS-ja tha se operacionet janë autorizuar “nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe janë mbështetur nga EULEX-i.

Bashkim Smakaj e kishte udhëhequr AKI-në nga 2009-2015, kur kishte dhënë dorëheqje pak pasi ishte emëruar për mandatin e tij të dytë.

Isni Kilaj ishte arrestuar për herë të parë në nëntor 2023 nën dyshimet për pengim të drejtësisë dhe u lirua me kusht në maj 2024 pasi pagoi dorëzani 30.000 euro.

Në shtator, ZPS-ja ndryshoi aktakuzën ndaj Kilaj, por nuk dha hollësi për ndryshimet e bëra.

Në Hagë po ashtu është duke u zhvilluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës.

Exit mobile version