Tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq nën masa të larta të sigurisë janë sjellë për herë të dytë në gjykatoren e Themelores në Prishtinë. Në seancën fillestare, të akuzuarit Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk u deklaruan rreth fajësisë. Kurse, Dushan Maksimoviq u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për sulmin terrorist në Banjskë.
I akuzuarit, Blagoje Spasojeviq teksa u shpreh se e ka kuptuar aktakuzën tha se tani për tani nuk dëshiron të deklarohet rreth fajësisë.
“Tani për tani nuk dua të deklarohem rreth fajësisë“, tha ai.
Edhe i akuzuari tjetër, Vladimir Toliq nuk u deklaruar rreth fajësisë.
“Në këtë fazë të procedurës nuk dëshiroj të deklarohem rreth aktakuzës”, deklaroi ai.
Ndërsa, i akuzuari Dushan Maksimoviq u deklaruar i pafajshëm për akuzat që e ka ngarkuar Prokuroria Speciale.
“Unë jam i vetëdijshëm që shumica në këtë sallë po mendojnë se jam i përfshirë në këtë vepër penale, mirëpo unë deklarohem se nuk jam fajtor dhe nuk kam lidhje me këtë aktakuzë me të cilën unë ngarkohem”, deklaroi i akuzuari, Maksimoviq.
Të akuzuarit deklarimin rreth fajësisë e bënë vetëm pasi u lexua aktakuza nga prokurori special, Naim Abazi.
Sipas aktakuzës të akuzuarit për sulm terrorist, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq së bashku me Milan Radojçiq në cilësinë e kreut të grupit terrorist më 24 shtator të vitit të kaluar kanë kryer sulmin terrorist në Banjskë.
Si pasojë e këtij sulmi mbeti i vrarë polici, Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa të tjerë.
“Më datën 24. 09.2023 nga ora 01:00 në fshatin Banjskë të Zveçanit së bashku me të pandehurin Milan Radojçiq në cilësinë e kreu të grupit terrorist të strukturuar së bashku me të pandehurit tjetër në role të ndryshme, duke filluar nga roli i bllokimit të rrugëve, të trajnuar në mënyrë profesionale, ku pjesa më e madhe e grupit pasi që kanë hyrë në mënyrë të organizuar përmes rrugëve malore ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës nga Republika e Serbisë, me dhjetëra vetura e disa prej tyre edhe të blinduara, të mbushura me armë të rënda, municion, raketa hedhës, eksplozivë, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake…e gjithë kjo me qëllim që seriozisht të destabilizojnë dhe shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike, shoqërore të Republikës së Kosovës.Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer veprën penale, ‘Kryerja e veprës terroriste’”, thuhej në aktakuzë.
Tutje, aktakuza thotë se tre të akuzuarit përmes një plani të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës.
“Duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur, ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile…me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se kanë kryer veprën penale, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, tha prokurori special.
Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti i njoftoi të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se në një afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të bëjnë kundërshtimin e provave dhe të bëjnë kërkesë për hudhje të aktakuzës.
Seanca e kaluar më 25 shtator ishte shtyrë pasi mbrojtja e të akuzuarve nuk kishte arritur të përgatitej.
Ndërsa, po në seancën e kaluar trupi gjykues vendosi ta veçoj rastin për gjykim ndaj tre të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq që janë në paraburgim, ndërsa nga Gjykata Supreme ka kërkuar mendim juridik nëse 42 të akuzuarve tjetër mund të gjykohen në mungesë apo jo.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator të këtij viti ka ngritur aktakuzë 45 të akuzuarve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit./UBTNews/