Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore të Prishtinës është mbajtur seanca për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor në rastin penal të vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.
Gjashtë të akuzuarit Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Rade Basara, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq dhe Nedelko Spasojeviq u deklaruan të pafajshëm për vrasjen e Ivanoviqit, por i akuzuari, Zharko Jovanoviq pranoi fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje, ndërsa për veprat tjera penale tha se nuk ndihet fajtorë.
I akuzuari tjetër, Nedelko Spasojeviq pritet të deklarohet rreth pranimit të fajësisë për armë mbajtje pa autorizim gjatë procesit gjyqësor.
Në seancën e sotme të shqyrtimit gjyqësor nuk u lexua akti akuzues me kërkesë të mbrojtjes të të akuzuarve e me këtë u pajtua edhe Prokuroria.
Prokurori i rastit, Burim Qerkini në fjalën e tij hyrëse tha se të akuzuarit ishin pjesë e një grupi kriminal që ka vepruar nga viti 2014 deri në vitin 2019.
“Të katër të pandehurit akuzohen se janë pjesë apo anëtar të grupit të organizuar kriminal, ku si pjesë e grupit është Nedelko Spasojeviq policë në Mitrovicën e Veriut, Marko Roshiq, qytetar në Mitrovicë, Rade Basara policië, dhe Silvana Arsoviq që ka punuar me të ndjerin në zyrën e tij. Prokuroria thekson se ekzistojnë prova logjike dhe bindëse që dëshmojnë se këta katër të pandehurit kanë qenë anëtar të grupit të organizuar kriminal që ka vepruar në Mitrovicë nga viti 2014 deri në vitin 2019, dhe se përfundimisht janë përgjegjës për vrasjen e politikat Oliver Ivanoviq më 16 janar 2018″ tha ai.
“Po ashtu të akuzuarit tjerë që akuzohen janë si në vijim Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq dhe Nedelko Spasojeviq akuzohen për posedim të armës”, shtoi Qerkini.
Prokuroria Speciale pretendon se veprimet e grupit kishin për qëllim rritjen e ndikimit të tyre politik në Mitrovicë të Veriut.
Sipas aktakuzës, hetuesi policor, Rade Basara, kishte keqpërdorur autoritetin zyrtar pasi nga pozita e tij kishte ndihmuar në fshehjen e provave, për çka akuzohet edhe Nedelko Spasojeviq.
Sipas Prokurorisë, në planifikimin e vrasjes së Ivanoviqit ka qenë edhe administratorja e zyrës së Ivanoviqit, e cila kishte qenë në njohuri për fikjen e kamerave të sigurisë, si dhe aktivizimin e tyre pak minuta pas vrasjes.
“Prokuroria mban qëndrimin se së paku tri vite më përpara që të katër të pandehurit për përfshirje në grupin kriminal kanë vepruar si grup i organizuar me hierarki dhe role të ndara. Kjo hierarki dhe rolet e tyre do të shihen qartë gjatë administrimit të provave të këtij shqyrtimi gjyqësor. Ata në vazhdimësi kanë vepruar bashkërisht me qëllim që ta shtrijnë kontrollin në pjesën veriore të Mitrovicës”.
Prokuroria gjithashtu shpalosi informacione për secilin veç e veç.
“Nedelko Spasojeviq me dije u ka ndihmuar dorasëve duke shmangur pengesa për kryerjen e veprës. Gjithashtu ditën kritike së bashku me dy zyrtarët policor Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq në vendin e ngjarjes me qëllim kanë shpërdorur pozitën zyrtare […] duke lejuar persona të paautorizuar që të hyjnë në vendin e ngjarjes dhe të fshehin provat që ishin aty kur ndodhi vrasja e Ivanoviqit. Marko Roshiq me vetëdije u ka ndihmuar dorasëve duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit që kanë kryer vrasjen. Ai në vitet e mëhershme ishte i dyshuar se kishte marr pjesë edhe në veprime tjera të kundërligjshme kohë më parë por në ditën kritike i njëjti ka përcjell apo ka shoqëruar të ndjerin Oliver Ivanoviq pas vrasjes me veturën e tij Santafe, para vrasjes dhe pas vrasjes, ku një letër është gjetur në rrobat e tani të ndjerit me detaje rreth kësaj veture”, tha ai.
E pranishme në seancën e sotme gjyqësore ishte edhe e ish-bashkëshortja e politikat serb tashmë të ndjerë, Oliver Ivanoviq, Mariana e cila nuk pranoi ta thotë fjalën e saj hyrëse, pasi siç tha ajo nga ftesa e gjykatës ka kuptuar se është e ftuar si dëshmitare e jo si palë e dëmtuar.
Pas kësaj deklarate, kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj tha se pala e dëmtuara mund ta thotë fjalën hyrëse në shqyrtimin e radhës.
Mbrojtësi i të akuzuarit, Nedelko Spasojeviq, Faruk Korenica i ka kundërshtuar të gjitha pretendimet e Prokurorisë Speciale ndaj klientit të tij për çka tha se Prokuroria nuk ka asnjë provë që vërteton fajësinë e Spasojeviq.
Në fjalën e tij hyrëse, Mahmut Halimi avokat i Marko Roshiq tha se në ditën kur ka ndodhur vrasja klienti i tij ka qenë fjetur e jo siç pretendon Prokuroria se e ka përcjell të ndjerin Oliver Ivanoviq.
Edhe mbrojtja e Rade Basara, Tomë Gashi e ka kundërshtuar këtë aktakuzë.
Avokatja e Silvana Arsoviq, Jovana Filipoviq ka hedhur poshtë çdo akuzë me të cilën ngarkohet klientin e saj.
Ndërkohë, edhe në seancën e sotme mbrojtja e Marko Roshiqit, Nedelko Spasojeviqit dhe Rade Basara kanë kërkuar që të ndërpritet masa e paraburgimit ndaj tyre.
Trupi gjykues i ka caktuar seancat e radhës për rastin e vdekjes së Oliver Ivanoviq më 30 gusht, 1, 14 dhe 17 shtator të këtij viti.
Aktakuza ndaj tyre u ngrit në fund të vitit 2019, ndërsa seanca fillestare ishte mbajtur në shkurt të vitit 2020. Në prill të këtij viti, Gjykata e Apelit kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur për rastin.
Politikani serb, Oliver Ivanoviq ishte vrarë më 16 janar 2018 në qytetin e Mitrovicës.