UBT News

Targat ilegale, Sveçla: Qytetarët të mos mbesin peng të politikës dhe të grupeve kriminale

Ministri i Punëve të brendshme, Xhelal Sveçla ka inkurajuar të gjithë qytetarët serbë që qarkullojnë me targa ilegale, të regjistrojnë automjetet e tyre në qendra të regjistrimit, në mënyrë që të mos mbesin peng të politikës.

Sveçla ka ftuar të gjithë qytetarët të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ apo ‘ĐA’ nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS, që të përmbyllet me sukses ky proces i cili siç ka thënë ai, kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë publike, sigurinë në trafik dhe kthimin e ligjshmërisë në vend.

“Inkurajoj qytetarët që të mos mbesin peng të interesave politike dhe grupeve kriminale por të shfrytëzojnë të gjitha lehtësirat dhe të regjistrojnë mjetet e tyre në të gjitha Qendrat e Regjistrimit, pa marrë parasysh vendbanimin apo vendqëndrimin. Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të ofroj siguri dhe sundim të ligjit në gjithë vendin dhe për të gjithë qytetarët e saj pa dallim”, ka shkruar ai në Facebook. 

Në mesnatë ka hyrë në fuqi masa qortuese për të gjithë pronarët e automjeteve që qarkullojnë me targat ilegale, vendim ky i cili ka nxitur reagimin e ndërkombëtarëve, të cilët kanë përsëritur se i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që vendimin për targat ta shtyjë për dhjetë muaj. 

Exit mobile version