UBT News

Targat, DASh paralajmëron marrëveshje Kosovë – Serbi “brenda pak ditësh”

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Ned Price ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështetin plotësisht dialogun Kosovë – Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ndërkohë që u shpreh optimist se çështja e targave do të zgjidhet brenda ditëve.

Price në një deklaratë për media ka thënë se do të mbështesin të dy vendet në arritjen e një marrëveshjeje.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë dialog të BE-së. Ne do të vazhdojmë të jemi partnerë si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë me shpresën se do ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje në mënyrë paqësore gjatë ditëve në vijim”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i DASh, Ned Price ka theksuar mbështetjen e ShBA-së për dialogun e mbështetur nga BE-ja.

“Mesazhi ynë për këtë ka qenë i vazhdueshëm. Ne e mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Kjo është arsyeja pse Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar, ishte në Prishtinë dhe Beograd për të mbështetur këtë proces. Siç e dini, edhe vetë Sekretari ka qenë thellësisht i angazhuar në këtë. Ai foli me presidentin serb, Vuçiq, dhe me kryeministrin e Kosovës, Kurtin, besoj se kjo ishte në fillim të këtij muaji, më 11 tetor. Ai nënvizoi mbështetjen tonë për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Ai kërkoi angazhim të vazhdueshëm konstruktiv për të siguruar paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin”, tha ai. 

Exit mobile version