Nga Mick Krever/CNN
Vendimi i Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara dhe të tjerëve për të dërguar tanke kryesore luftarake në Ukrainë ka shkuar më tej sesa mendohej vetëm disa muaj më parë.
Vendet perëndimore, duke shfaqur unitet dhe duke dashur të parandalojnë një ofensivë të përtërirë ruse, kanë lënë mënjanë frikën se armatimet më të avancuara rrezikojnë të provokojnë presidentin rus Vladimir Putin.
Me tanket e hequra nga lista, liderët ukrainas kanë rinovuar thirrjet e tyre publike për avionë luftarakë.
“I dërgova një kartë me listën e dëshirave babadimrit vitin e kaluar dhe avionët luftarakë gjithashtu [ishin] përfshirë në këtë listë dëshirash”, tha ministri i Mbrojtjes Oleksii Reznikov për CNN këtë javë.
Publikisht, liderët perëndimorë i shmangen diskutimit të avionëve luftarakë dhe ata nuk ishin zyrtarisht në axhendën e një takimi midis Ukrainës dhe aleatëve të saj në Ramstein, Gjermani, javën e kaluar.
Por, Jon Finer, Zëvendës Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, thotë se ata “nuk kanë përjashtuar ndonjë sisteme specifike”, duke përfshirë F-16.
Holanda, gjithashtu tërhoqi vëmendje javën e kaluar, kur ministri i saj i jashtëm i tha një parlamentari që pyeste për F-16 se “kur bëhet fjalë për gjërat që Holanda mund të furnizojë, nuk ka tabu”.
F-16, i zhvilluar për herë të parë në vitet 1970, është një avion luftarak shumë i manovrueshëm, i aftë të mbajë gjashtë raketa nën krahët e tij. Nuk blihet më nga SHBA, por përsëritjet e reja janë ende duke u blerë nga vende si Bahreini dhe Jordania./UBTNews/