Forcat talibane afgane vranë gjashtë civilë në Pakistan dhe plagosën të paktën 17 të tjerë në një sulm “të paprovokuar” me bomba dhe me armë zjarri në një qytet kufitar të dielën, kështu të paktën ka thënë Pakistani.
Sulmi në Chaman të dielën u dënua nga ushtria pakistaneze, e cila tha se pala afgane lëshoi “zjarr pa dallim”, më pas forcat pakistaneze u kundërpërgjigjën, ku një ushtar afgan mbeti i vrarë.
Është e paqartë se çfarë shkaktoi përleshjen në pikën kryesore kufitare.
Megjithatë, kjo vjen në mes të një rritje të tensioneve midis vendeve fqinje për çështjet e sigurisë, që kur talibanët rimorën kontrollin e Afganistanit vitin e kaluar.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, tha se veprimi në Afganistan “meriton dënimin më të fortë”.
Burimet afgane të sigurisë, të cituara nga Reuters, thanë se incidenti ndodhi pasi Pakistani u kërkoi forcave kufitare afgane të ndalonin ndërtimin e një postblloku në anën e tyre të kufirit.
Ndërkohë AFP citoi zyrtarë anonimë të qeverisë afgane që thanë se tensionet u ndezën pasi forcat afgane u përpoqën të prisnin një pjesë të një gardh në kufi.
Që nga viti 2017, Pakistani ka ndërtuar një gardh masiv përgjatë kufirit – diçka e kundërshtuar si nga talibanët, të cilët morën pushtetin vitin e kaluar, ashtu edhe nga qeveria e mëparshme afgane.
Pamjet nga qyteti kufitar të dielën treguan njerëz të plagosur nga granatimet e artilerisë dhe mbetjet e automjeteve të goditura dhe rrugëve të dëmtuara.
Guvernatori i Kandaharit konfirmoi se një anëtar taleban ishte vrarë dhe 10 persona u plagosën.
Zyrtarët pakistanezë thonë se sulmet e nisura nga grupet militante pakistaneze nga territori afgan janë bërë më të shpeshta që kur talibanët morën pushtetin./UBTNews/