Sapo shkollat fillore dhe të mesme të larta për vajzat në Afganistan u hapën për një vit të ri akademik, talibanët urdhëruan mbylljen e tyre.
Një ekip televiziv po filmonte një mësim në një klasë në shkollën e mesme për vajza në Zarghona të Kabulit të mërkurën në mëngjes kur një mësues hyri dhe i urdhëroi nxënëset të shkonin në shtëpi.
Këto të fundit, të cilat po gëzoheshin për kthimin e tyre në shkollë për herë të parë që kur talibanët morën pushtetin gushtin e kaluar, mbyllën librat, paketuan gjërat dhe u larguan nga klasa të përlotura.
“Po, është e vërtetë”, tha zëdhënësi i talibanëve, Inamullah Samangani për AFP pa komentuar më tutje, duke konfirmuar raportet se vajzave në të gjithë vendin u ishte kërkuar të ktheheshin në shtëpi.
Asnjë zyrtar taliban nuk u arrit menjëherë për të shpjeguar arsyen e këtij vendimi.
“Ne nuk kemi të drejtë të komentojmë”, tha thjesht zëdhënësi i ministrisë së arsimit, Ahmad Aziz Rayan.
“Pashë nxënëset e mija të qanin dhe hezitonin të largoheshin nga klasa. Është shumë e dhimbshme të shohësh nxënësit e tu duke qarë”, tha Palwasha, një mësuese në shkollën e vajzave Omara Khan të kryeqytetit.
Deborah Lyons, Përfaqësuesja Speciale e OKB-së për Afganistanin, i ka përshkruar raportet për mbylljen e shkollave si “shqetësuese”.
“Nëse është e vërtetë, cila mund të jetë arsyeja?” pyeti ajo në Twitter.
Komuniteti ndërkombëtar e ka bërë të drejtën për arsimim për të gjithë, një pengesë në negociatat për ndihmën dhe njohjen e regjimit taliban.
“Ne nuk po i hapim shkollat për të kënaqur komunitetin ndërkombëtar, as për të fituar njohjen nga bota”, tha zëdhënësi Aziz Ahmad Rayan për AFP.
“Ne e bëjmë këtë si pjesë të përgjegjësisë sonë për të ofruar arsimim dhe mjedise arsimore për studentët tanë”, shtoi ai.
Talibanët kishin këmbëngulur se donin kohë për të siguruar që vajzat e moshës 12 deri në 19 vjeç do të mbaheshin të ndara nga djemtë dhe se shkollat do të funksiononin “sipas parimeve islame”.
Në prani të talibanëve, vajzat e intervistuara nga agjencia e lajmeve AFP kur shkollat u hapën thanë se ishin “të lumtura” që u kthyen në klasë dhe madje falënderuan talibanët.
Rreth orës 07:00, qindra studentë nxituan drejt hyrjes së shkollës së mesme për vajza në Zarghona, një nga institucionet më të mëdha të këtij lloji në kryeqytet.
“Kur mbërrita, pashë se dyert e shkollës të hapura dhe se të gjithë nxënësit po vinin, kjo më gëzoi shumë dhe më pas erdha të përshëndes mësuesit e mi”, tha Sadaf, një nxënëse 16-vjeçar në këtë shkollë të mesme.
“Ne menduam se mund të mos kemi ndonjë përparim për të ardhmen tonë. Për tetë muajt e fundit, ne kemi qenë në shtëpi dhe jemi përpjekur të studiojmë librat tanë. Shpresoj që me Emiratin Islamik (emri i regjimit taliban), mund të ketë më shumë zhvillim”, tha adoleshentja që dëshiron të bëhet mjeke.
Shkollat në provincat e tjera ishin hapur gjithashtu në mëngjes, si në Panchir (Verilindore), Kunduz (Veri) ose Herat (jugperëndim), përpara se të mbyllnin dyert./UBTNews/