UBT News

Talibanët thonë se si pasojë e të ftohtit ekstrem kanë vdekur mbi 150 njerëz në Afganistan

Së paku 157 persona kanë vdekur në Afganistan si pasojë e dimrit të ashpër, tha një zyrtar i talibanëve të martën.

Afganistani po përballet me një nga dimrat më të ftohtë. Temperaturat ranë deri në minus 28 gradë Celsius (minus 18 Fahrenheit) në fillim të janarit – shumë më poshtë mesatares mbarëkombëtare midis 0 dhe 5 gradë Celsius për këtë periudhë të vitit.

Situata është përkeqësuar edhe më shumë nga sasia e kufizuar e ndihmave humanitare që po shpërndahet në vend, pas ndalimit të punës në OJQ për femrat.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA) shkroi në Twitter të dielën se po shpërndan ndihma si batanije, ngrohje dhe strehim për rreth 565 mijë e 700 njerëz.

“Por nevojitet shumë më tepër mes një prej periudhave më të ftohta në vite”, shtoi ai.

Rreth 70 mijë bagëti kanë ngordhur njoftoi të martën Shafiullah Rahimi, një zëdhënës taliban i Ministrisë së Menaxhimit të Fatkeqësive.

Qëkur grupi islamik i linjës së ashpër mori pushtetin në gusht të vitit 2021, Afganistani është zhytur në një krizë ekonomike dhe humanitare.

Rreth 28.3 milionë njerëz, afërsisht dy të tretat e popullsisë së Afganistanit, kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare për të mbijetuar, sipas një raporti të fundit të UNOCHA./UBTNews/

Exit mobile version