Pak më shumë se një muaj qëkur rrëzuan nga pushteti Qeverinë e mbështetur nga Perëndimi në Kabul, sunduesit e rinj të Afganistanit, talibanët, tani po përballen me armikun e brendshëm, i cili po përdor shumë taktika të sulmeve të cilat i kanë praktikuar vetë talibanët.
Grupi ekstremist i Shtetit Islamik (IS) paraqet kërcënim serioz për Afganistanin.
Sulmi vdekjeprurës në aeroportin e Kabulit, muajin e kaluar, dhe një seri sulmesh me bomba në qytetin Xhalalabad, që u morën përsipër nga IS-i, shpërfaqin kërcënimin për stabilitetin e vendit nga grupet militante, dhe talibanëve do t’u duhet të merren me këtë situatë, shkruan Reuters.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, këtë javë e ka minimizuar kërcënimin duke thënë se IS-i nuk ka prezencë aktive në Afganistan.
Por, komandantët talibanë në terren nuk e shpërfillin aq lehtë kërcënimin nga militantët e këtij grupi ekstremist.
Dy anëtarë të shërbimeve të inteligjencës të talibanëve të cilët hetuan disa nga sulmet e fundit në Xhalalabad thanë se taktikat që përdori IS-i dëshmojnë se ky grup mbetet një rrezik, edhe nëse nuk ka numër të mjaftueshëm të luftëtarëve dhe burime tjera që do t’i përdorte për të marrë nën kontrolll territorin.
Në sulme u përdorën bomba që ngjiten me magnet, të cilat vendosen kryesisht poshtë veturave. Ato kishin në shënjestër militantët talibanë. Të njëjtin lloj të sulmeve e kishin përdorur edhe talibanët kur sulmonin zyrtarët dhe pjesëtarët e forcave të sigurisë si dhe figurat e shoqërisë civile në përpjekje për të destabilizuar Qeverinë e mbështetur nga Perëndimi.
“Ne jemi të shqetësuar me përdorimin e këtyre bombave ngjitëse, të cilat ne i përdornim dikur për të sulmuar armiqtë tanë në Kabul. Ne jemi të shqetësuar për udhëheqjen tonë pasi ata mund të jenë cak i sulmeve”, tha një nga zyrtarët e inteligjencës talibane.
Çfarë është Shteti Islamik i Khorasanit?
Shtetit Islamik në Azinë Qendrore, u shfaq disa muaj pasi luftëtarët kryesorë të grupit pushtuan Sirinë dhe Irakun, duke krijuar një kalifat të vetëshpallur ose perandori islamike, në verën e vitit 2014. Në Siri dhe Irak, u desh që forca vendase dhe ndërkombëtare të detyrohen të luftojnë gjatë pesë vjetëve pasuese, për ta rrëzuar kalifatin. Dega e tij në Afganistan, e ka marrë emrin nga Provinca Khorasan, një rajon që mbulon pjesën më të madhe të Afganistanit, Iranit dhe Azisë Qendrore gjatë mesjetës.
Ky grup njihet edhe si ISK ose IS-K.
Që nga viti 2018, grupi e ka humbur fuqinë pas një sërë humbjesh të rënda të shkaktuara si nga talibanët ashtu edhe nga forcat amerikane.
Të mërkurën, forcat talibane të sigurisë në Nangarhar thanë se kishin vrarë tre anëtarë të IS-it.
“Struktura e tyre kryesore është shpartalluar dhe ata tani janë ndarë në grupe të vogla përmes së cilave kryejnë sulme”, tha një zyrtar i inteligjencës.
Ka kohë që talibanët kanë bërë premtime se nuk do të lejojnë që territori i Afganistanit të përdoret për sulme ndaj vendeve tjera.
Megjithatë, analistët perëndimorë thonë se kthimi i talibanëve në pushtet u ka dhënë hov grupeve ekstremiste siç janë: IS-K dhe Al Kaida.
Al Kaida e shndërroi Afganistanin në një bazë të veten kur talibanët ishin në pushtet në fund të viteve 90-ta.
“Kthimi i talibanëve në pushtet në Afganistan paraqet një fitore të madhe për islamistët”, tha Rohan Gunaratna, profesor i studimeve të sigurisë në Universitetin Nanyang të Singaporit.
“Ata kanë festuar për kthimin e talibanëve. Unë mendoj se Afganistani është teatër i ri”, tha ai.
Ende nuk dihet shumë sesi funksionon IS-K por besohet se grupi tërheq shumë luftetarë në rradhët e veta nga talibanët apo nga versionin pakistanez i talibanëve, i njohur si TTP.
Grupi ka luftuar talibanët dhe gjithashtu mbështet një Kalifat global sipas ligjit islamik, në kontrast me talibanët të cilët këmbëngulin se nuk kanë ndonjë interes jashtë Afganistanit.
Shumica e analistëve, si dhe Kombet e Bashkuara, vlerësojnë se ISI-K ka më pak se 2,000 luftëtarë, krahasuar me 100,000 sa kanë në dispozicion talibanët.
Mendohet se rradhët e IS-K janë shtuar pasi talibanët i liruan të burgosurit kur morën kontrollin në Afganistan.
Sipas një raporti të muajit qershor të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, lidhjet financiare dhe logjistike të IS-K me organizatën e saj bazë në Siri janë dobësuar, megjithëse ata ruajnë disa kanale komunikimi.
“Financimi i IS-it për degën në Afganistan besohet se ka rënë në mënyrë efektive”, thuhej në raport.
Sidoqoftë, raporti tha se sinjalet e përçarjeve brenda talibanëve, të cilat tashmë kanë filluar të shfaqen, mund të inkurajojnë më shumë luftëtarë të largohen nga rradhët e talibanëve.
“Grupi IS-K mbetet aktiv dhe i rrezikshëm. Veçanërisht nëse është në gjendje që duke marrë një pozicion si grupi i vetëm që kundërshton talibanët dhe në këtë mënyrë të tërheq në rradhët e veta talibanët e pakënaqur dhe militantë të tjerë”, tha OKB.