Talibanët kanë paralajmëruar për më shumë sulme që shënjestrojnë zyrtarë të Qeverisë afgane, pas një sulmi që ka pasur cak ministrin në detyrë të Mbrojtjes në Kabul, ndërkohë që kryengritësit vazhdojnë luftën për të kontrolluar qytetet në këtë shtet.
Sulmi ndaj ministrit në detyrë, Bismillah Khan Mohammadi, “shënon fillimin e operacioneve hakmarrëse kundër qarqeve dhe liderëve të administratës në Kabul, të cilët janë duke urdhërur sulme dhe bombardime në zona të ndryshme të shtetit”, ka thënë zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid më 4 gusht, përmes një deklarate në rrjetet sociale.
Shpërthimi që ka pasuar një sulm me armë kundër Mohammadit, ka lënë të vdekur tetë persona dhe ka plagosur 20 të tjerë më 3 gusht.
Presidenti afgan, Ashraf Ghani, gjatë një fjalimi në parlamentin afgan më 2 gusht 2021.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme ka thënë se sulmuesi ka hyrë në shtëpinë e Mohammadit pas shpërthimit dhe se të katër sulmuesit janë vrarë.
Talibanët kanë thënë se bastisja në Kabul ka qenë përgjigje ndaj sulmeve ajrore kundër kryengritësve nga forcat ushtarake afgane dhe amerikane.
Deklarata e talibanëve ka ardhur pasi ushtria afgane ka nisur kundërsulm në qytetin jugor Lashkar Gah në provincën Helmand.
Ushtria ka kërkuar nga popullsia prej 200,000 banorëve që të evakuohet më 3 gusht, teksa përgatitet për ofensivë.
Luftime të ashpra kanë ndodhur edhe rreth Heratit, afër kufirit me Iranin, si dhe në Kandahar.
Kombet e Bashkuara kanë thënë më 4 gusht se kanë pranuar raportime për rritje të numrit të viktimave dhe dëmeve në infrastrukturën civile në Helmand dhe Kanhadar.
Shkalla e luftimeve është rritur në këtë vend teksa trupat amerikane kanë nisur përgatitjet për t’u larguar nga ky vend deri në fund të muajit gusht.
Forcat amerikane, bashkë me forcat afgane të sigurisë, gjatë një operacioni më 2009.
Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.
Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.
Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit./REL