UBT News

Talibanët mirëpresin praninë e vazhdueshme të OKB-së në Afganistan

Talibanët përshëndetën të premten një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që zgjat zyrtarisht praninë e organizmit botëror në Afganistan, megjithëse qeveria e grupit islamik mbetet e panjohur nga komuniteti ndërkombëtar, përcjell UBT News.

Rezoluta e së enjtes – e cila shmangu përdorimin e fjalës “talibanë” – i lejon OKB-së të vazhdojë punën në Afganistan. Votimi për zgjatjen e Misionit të Ndihmës së Kombeve të Bashkuara për Afganistanin (UNAMA) ishte me 14 vora pro, me një abstenim – nga Rusia.

OKB-ja nuk e ka njohur ende të dërguarin e talibanëve në këtë organ dhe rezoluta nuk i jep qeverisë së re njohje ndërkombëtare. Misioni përfshin disa fusha bashkëpunimi, për çështje humanitare dhe politike si dhe për të drejtat e njeriut, duke përfshirë ato të grave, fëmijëve dhe gazetarëve.

“Ne e konsiderojmë zgjatjen e mandatit të UNAMA-s si një hap të mirë dhe duam që ata të punojnë në mënyrë efektive për zgjidhjen e problemeve humanitare dhe të tjera në Afganistan”, tha zëdhënësi i talibanëve Zabihullah Mujahid për AFP të premten.

“Ne do të koordinoohemi dhe bashkëpunojmë me ta”.

Situata e sigurisë në Afganistan duket se po stabilizohet, disa muaj pasi talibanët morën pushtetin më 15 gusht të vitit 2021 në mes të një tërheqjeje të nxituar të forcave të huaja të udhëhequra nga SHBA-ja pas 20 vitesh luftë.

Por që atëherë kriza humanitare në vend është thelluar.

Kombet e Bashkuara dhe agjenci të tjera globale të ndihmës kanë thënë se më shumë se gjysma e 38 milionë banorëve të Afganistanit po përballen me urinë ndërsa dimri po zvarritet./UBTNews/

Exit mobile version