Qeveria e talibanëve në Afganistan ka lëshuar sot një dekret për të drejtat e grave, sipas të cilit gratë nuk duhet të konsiderohen “prona” dhe duhet të japin pëlqimin për martesë, megjithatë nuk u përmend qasja në edukim apo edhe në punë jashtë shtëpisë.
Talibanët kanë qenë nën presion nga komuniteti ndërkombëtar, i cili ka ngrirë fondet për Afganistanin, me synim që ta shtyjë grupin që t’i respektojë të drejtat e grave.
“Gruaja nuk është pronë, por një qenie njerëzore fisnike dhe e lirë; nuk duhet të përdoret në këmbim të paqes … ose për t’i dhënë fund armiqësisë”, thuhet në dekretin e talibanëve, të lëshuar nga zëdhënësi Zabihillah Muhajid.
Ky dekret përcakton rregullat edhe rreth martesës dhe pronës, duke thënë se gratë nuk duhet të detyrohen për martesë dhe se gratë e veja duhet të kenë qasje në pasurinë e ish-bashkëshortit.
Gjykatat do të duhet të kenë parasysh këtë dekret kur të marrin vendime dhe ministritë për çështje fetare dhe informim duhet të promovojnë këto të drejta, është thënë mes tjerash në dekret.
Gjatë sundimit të mëhershëm të talibanëve nga vitet 1996-2001, ata i ndaluan gratë të dilnin nga shtëpia pa një shoqërues mashkull, i detyruan të mbulojnë fytyrën dhe kokën, dhe ua ndaluan qasjen në edukim.
Talibanët thonë se kanë ndryshuar dhe se kanë lejuar hapjen e shkollave të mesme për vajza në disa provinca./UBTNews