Një zëdhënës i talibanëve i ka akuzuar ushtarët australianë për krime lufte në Afganistan.
Zëdhënësi Suhail Shaheen i akuzoi forcat australiane për shkeljen brutale të të drejtave të njeriut gjatë fushatës ushtarake 20-vjeçare të Perëndimit dhe bëri thirrje që ushtarët australianë të gjykohen.
“Australia ishte pjesë e pushtimit. Ata kryen disa nga shkeljet më brutale të të drejtave të njeriut duke ua prerë gishtat e duarve kufomave dhe duke vrarë fermerë. Ata vdiqën kot, vdiqën duke e pushtuar vendin tonë”, tha Shaheen.
Sipas tij, dëshmia për këtë akuzë është e paraqitur në hollësi në raportin e Brereton-it, i cili pretendon se ushtarët e forcave speciale australiane kanë vrarë të burgosur dhe civilë të pafajshëm me urdhrat e komandantëve të tyre, shkruan Daily Mail
“Nëse forcat e vendit tim shkojnë dhe e pushtojnë vendin tuaj dhe vdesin, çfarë do të thoshit? A do të thoshit që ata erdhën këtu për diçka joligjore? A ishte e drejtë e tyre për ta pushtuar vendin tuaj? E njëjta vlen për vendin tim, Afganistanin”, shtoi zëdhënësi i talibanëve.