Talebanet kanë kundërshtuar deklaratën e presidentit Biden se amerikanët në Afganistan do të qëndrojnë përtej gushtit nëse do të jetë e nevojshme për të evakuuar popullsinë.
Zëdhënësi i talebaneve në një deklaratë tha se nuk do të zgjasin afatin e 31 gushtit për misionin aktual të evakuimit. Për ta kjo datë është një vijë e kuqe që duhet respektuar. Zgjatjen e afatit të qëndrimit të Amerikanëve në Afganistan përtej kësaj date, ata e cilësojnë si ‘zgjatje të pushtimit’ të Afganistanit.
Madje zëdhënësi i talebanëve shkoi më tej ku tha se nëse kjo datë do të ndryshojë, amerikanët duhet të përgatiten për t’u përballur me pasojat.
Nga ana tjeter Kryeministri britanik Boris Johnson pritej të zhvillojë një takim urgjent të G7 të martën për t’i kërkuar Presidentit Biden të shtynte afatin e tërheqjes së trupave amerikane për të lejuar më shumë kohë për evakuime nga aeroporti i Kabulit.
Mijëra afganë dhe shtetas të huaj ende po përpiqen të nisen me fluturime jashtë vendit por që evakuimet janë ende të pakta.