Pas 19 muajsh, Princi Harry është takuar sërish me babanë e tij, Mbretin Charles III, në një takim privat këtë të mërkurë në Londër, duke ringjallur shpresat për një pajtim mes tyre.
CNN raporton se kanë pirë çaj privatisht në Clarence House. Harry u pa duke mbërritur me Range Rover rreth 17:20 dhe doli pas një ore.
Ky ishte takimi i tyre i parë që nga shkurt 2024, kur Harry udhëtoi për një vizitë të shkurtër në Britani pas diagnostikimit të babait të tij me kancer. Në prill, ai nuk arriti të takohej me të atin pasi Charles ndodhej në një vizitë shtetërore në Itali.
Harry ka shprehur publikisht dëshirën për të pajtuar marrëdhëniet.
“Disa anëtarë të familjes sime kurrë nuk do të më falin për librin tim… por unë dua të pajtohem me familjen time. Nuk ka më kuptim të vazhdojmë të grindemi,” deklaroi ai për BBC-në në maj.
Marrëdhëniet me vëllanë, princin William, mbeten të tensionuara. William është i përqendruar tek gruaja e tij, Princesha Kate, gjatë trajtimit të saj për kancer. Ndërkohë, Harry ka qenë aktiv në Londër me angazhime bamirësie.
“Po, është shumë mirë, faleminderit,” tha ai për gjendjen shëndetësore të babait të tij.
Ai shpalli donacion 500 mijë dollarësh për fëmijët e plagosur në Gaza dhe Ukrainë, duke theksuar se asnjë organizatë nuk mund ta zgjidhte këtë vetëm. “Duhen partneritete për të siguruar që fëmijët të mbijetojnë e rikuperohen pas plagëve të shkaktuara” shtoi ai.
Vizitën e tij në Britani, Harry do ta përmbyllë të enjten me një aktivitet bamirësie në kuadër të fondacionit “The Diana Award”, para se të kthehet në Shtetet e Bashkuara.
Përgatiti: A.Z. /UBT News/