Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, sot përsëriti thirrjen për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve në dialogun Kosovë-Serbi. Hovenier ishte nikoqir i takimit, ku u diskutua për çështjen e Asociacionit e në të cilin morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, të partive politike si dhe nga shoqëria civile.
Pas takimit, diplomati amerikan shkroi se të pranishmit kanë ndarë pikëpamjet e tyre për këtë temë.
“Sot mbajtëm një seancë dëgjimore për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mirënjohës për akterët e ndryshëm të pranishëm për ndarjen e pikëpamjeve dhe ekspertizave të tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve të dialogut”, shkroi Hovenier në Twitter.
Diskutimi për Asociacionin, i mbajtur në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, zgjati rreth dy orë. Pas diskutimit nuk pati deklarime për media nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës apo partitë shqiptare.
Ndërsa, Milica Andric-Rakic nga organizata joqeveritare, NSI, tha se nga ky takim nuk ka pasur ndonjë përfundim të përbashkët dhe sipas saj qëndrimet e përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe të përfaqësuesve serb ishin të ndryshme.
“Si tema të diskutimit ishin tri tema kryesore; Njëra ishte se si do të funksiononte Asociacioni i komunave me shumicë serbe, çfarë lloj shërbimesh do të ofronte dhe si do të funksiononte brenda kornizës ligjore të Kosovës, por edhe në përputhje me marrëveshjen e Brukselit. Kishte një mori qëndrimesh, mendoj se kanë qenë mbi 25 veta që kanë folur. Pra, padyshim që takimi nuk kishte një përfundim të përbashkët, qëndrimet ishin shumë, shumë të ndryshme. Përfaqësuesit e qeverisë më së shumti folën për problemet që kanë me idenë se nuk janë të bindur se ka nevojë për një organ të tillë dhe se pakoja e Ahtisaarit tashmë iu garanton të drejta të mjaftueshme komuniteteve, ndërsa përfaqësuesit e serbëve të Kosovës folën për mangësitë e planit të Ahtisasrit, problemet që kanë me importimin e librave, importimin e barnave dhe qasjen pak a shumë në shërbimet elementare në Kosovë për shkak të barrierave gjuhësore, por edhe problemeve të tjera”, tha ajo.
Pas takimit, foli edhe Miodrag Miliçeviq nga organizata Aktiv, sipas së cilit ky diskutim ishte i domosdoshëm.
“Duke u nisur nga disa njoftime në publik se i kemi dëgjuar këto ditët, qeveria nuk ka treguar asnjë shenjë fleksibiliteti apo vullneti që e shqetëson atë për të nisur këtë proces, ndaj do të citoj z. Kurti, i cili dje diku la të kuptohet se nuk është i gatshëm të formojë Asociacionin dhe se ky Asociacion në fakt nuk është prioritet i shoqërisë kosovare sot. Do të thosha se është prioritet, duhet dhe duhej të ishte prioritet jo tani, por gjatë gjithë këtyre viteve, sepse kontakti i drejtpërdrejt dhe të kuptuarit se çfarë është komuniteti dhe si do të jenë shqiptarët dhe komunitetet e tjera jo shumicë në Asociacionin serbe tani brenda atij Asociacioni të ardhshëm janë disa nga pyetjet kyçe për të ardhmen e këtij procesi”, u shpreh ai.
Ndërsa, sipas politikanit serb nga “Iniciativa Qytetare” Aleksandar Arsenijevic të gjithë e kanë kuptuar që Asociacioni duhet të përfaqësojë komunitetin serb në Kosovë dhe jo të sfidojë Kosovën.
“Fillimisht, le të fillojmë nga përshtypjet, përshtypjet e mia janë shumë pozitive sepse kjo është një lëvizje pozitive dhe se jemi brenda katër mureve, duke pasur parasysh që nuk arritëm të bisedonim mes komuniteteve në mënyrë të pavarur, po, duhet të ndërhyjë Ambasada Amerikane. Mendoj se ky takim është shumë produktiv dhe se takime të tilla me siguri do të sjellin një zgjidhje të mirë. Kemi pasur një shkëmbim të madh të mendimeve dhe qëndrimeve kontradiktore për komunitetin serb, por ajo që është më e rëndësishmja është se të gjithë e kanë kuptuar se asociacioni i komunave serbe duhet të përfaqësojë komunitetin serb në Kosovë dhe të mbrojë të drejtat e komunitetit serb. Asociacioni i komunave serbe nuk mundet në asnjë rast, siç është nënshkruar fillimisht, të sfidojë Kosovën në asnjë progres, por vetëm të mbrojë komunitetin serb, i cili është pakicë, nga madhorizimi i ardhshëm”, tha ai.
Në këtë diskutim, morën pjesë diplomatë të akredituar në Kosovë, përfaqësues të presidencës, Kuvendit e Qeverisë.
Gjithashtu, aty ishin përfaqësues të partive politike, të shoqërisë civile si dhe nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.