Kryetari i AAK – së Ramush Haradinaj, ka vizituar Pentagonin dhe është takuar më Drejtorin për Evropë dhe Politikat e NATO – s në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes, Alton V. Buland.
Haradinaj e ka falënderuar Buland për angazhimin e ushtrisë dhe qeverisë amerikane për mbështetjen e popullit të Kosovës.
“Në fillim të takimit e falënderova z. Buland për angazhimin e madh që Ushtria dhe Qeveria Amerikane e ka në mbështetje të popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj, në veçanti në ndihmën që i kanë dhënë dhe i japin forcimit të Ushtrisë së Kosovës.”
Ai tha se ka “argumentuar” nevojën për anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO.
“Gjatë takimit me z. Buland argumentova nevojën për anëtarësimin e përshpejtuar të Kosovës në NATO. Theksova se një proces i përshpejtuar i anëtarësimit të Kosovës në NATO e ndihmon sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon. Theksova se Kosova dhe Ushtria gjithmonë do të jetë në krah me Amerikën dhe shteteve tjera anëtare të Aleancës veri-atlantike të NATO-s.”
Në fund, Haradinaj ka shkruar “konfirmova se lidhja jonë me Amerikën do të jetë e përjetshme”.