UBT News

Takimi Mickoski-Orban në Budapest, mbahet mbledhja e qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban kanë zhvilluar një takim ‘kokë më kokë’ në Budapest, ku nga dje po qëndron një delegacion qeveritar me rastin e samitit hungarezo-maqedonas.

Pas takimit me Orbanin, kryeministri Mickoski në profilin e tij në X njoftoi se është biseduar për çështje kyçe me interes të përbashkët si dhe për “forcimin e bashkëpunimit ekonomik, investimet, energjinë, infrastrukturën dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë”.

Ai gjithashtu bëri të ditur se është mbajtur mbledhje e përbashkët mes qeverive të dy vendeve, duke shtuar se “janë shqyrtuar dhe është rënë dakord për çështje kyçe me interes të përbashkët”. Mbledhja u mbajt pas takimeve dypalëshe të ministrave përkatës, të cilat shërbyen si bazë për thellimin dhe forcimin e bashkëpunimit”.

Ne nuk mund t’i mbrojmë njerëzit e Evropës nga migrimet ilegale pa mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor“, tha kryeministri hungarez Orban përmes X në një njoftim me rastin e fillimit të sotëm të samitit të dytë ndërqeveritar hungarezo-maqedonas.

Maqedonia e Veriut është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm në këtë drejtim“, tha ai, duke falënderuar kryeministrin Mickoski.

Pas takimeve është planifikuar konferencë e përbashkët për media.

Samiti ndërqeveritar filloi dje me takimin e ministrave të Politikës së Jashtme dhe Tregtisë, Timço Mucunski dhe Peter Szijjarto. Në takim, Szijjarto theksoi edhe një herë mbështetjen që Hungaria i jep Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Përndryshe, mbledhja e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Hungarisë u mbajt vitin e kaluar në Ohër.

Exit mobile version