Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka përshëndetur takimin e djeshëm Kurti-Vuçiq në Bruksel për arritjen e një marrëveshjeje për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Rama ka shkruar se pëlqimi i palëve për propozimin evropian është moment historik i rëndësishëm për paqen rajonale. Ai i ka inkurajuar të gjitha palët e përfshira që të vazhdojnë të punojnë për një zbatim të shpejtë.
“Për paqen dhe bashkëpunimin, Shqipëria është dhe do të mbetet në një model roli. Ne mbështesim plotësisht çdo përpjekje për të kapërcyer të kaluarën”, ka shkruar Rama në Twitter.
Ai ka potencuar se gjithkush duhet ta kuptojë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë gjënë e duhur.
“Uroj që askush të mos e akuzojë Albin Kurtin për tradhëti apo harresë, por gjithkush të kuptojë se kryeministri i sotëm i Kosovës ka bërë gjënë e duhur, duke hedhur një hap të parë me shumë rëndësi drejt daljes nga kurthi i të djeshmes. Hapa të tjerë pasofshin pa humbur kohë!”, ka shkruar Rama në Twitter.
Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje nga diskutimet me palën serbe dhe ndërmjetësuesit, një ditë pas takimit të nivelit të lartë në Bruksel.
Në një komunikatë për media, është potencuar se është arritur dakordimi që teksti i propozimit të BE-së, mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos ndryshojë. Është theksuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë për nënshkrimin e marrëveshjes bazë Kosovë – Serbi. Po ashtu, është potencuar se Serbia nuk ka qenë e gatshme ta nënshkruajë propozimin e BE-së.
Dje, në Bruksel është mbajtur takimi i gjashtë i nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut, kryeministri Kurti ka thënë se Kosova ka treguar gatishmëri për të nënshkruar planin evropian, porse Serbia nuk ka qenë e gatshme.
Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë muajit mars.