Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka pritur në takim ministrin e Drejtësisë së Danimarkës Nick Hakkerup me të cilin veç tjerash kanë nënvizuar edhe nevojën marrëveshja me Danimarkën për dhënien me qira të burgjeve të Kosovë të miratohet edhe në Kuvend.
“Me theks të veçantë u nënvizua nevoja e miratimit në Kuvend të marrëveshjes ndërkombëtare dypalëshe për dhënien në shfrytëzim të qelive për të burgosurit nga Mbretëria e Danimarkës, marrëveshje kjo e cilësuar si një gurthemel për bashkëpunimet e radhës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryetarit të Kuvendit.
Në takim u diskutua edhe situata e sigurisë në rajon pas agresionit rus në Ukrainë, si dhe thellimi i bashkëpunimit dhe partneritetit në fusha me interes të përbashkët mes Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës.
Sipas komunikatës për medie “kryetari Konjufca, me këtë rast, shprehu mirënjohje për mbështetjen që Mbretëria e Danimarkës ka dhënë për çlirimin, zhvillimin, shtetndërtimin dhe procesin e integrimit evropian të Kosovës. Ai theksoi se Republika e Kosovës dhe Mbretëria e Danimarkës kanë ndërtuar marrëdhënie shumë të mira partneriteti dhe shprehu besimin se mbështetja e shtetit danez ndaj vendit tonë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Nga ana e tij, ministri Hækkerup konfirmoi përkushtimin e Mbretërisë së Danimarkës për përkrahjen e Republikës së Kosovës në fusha të ndryshme zhvillimore, si dhe në rrugën evropiane dhe të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja Saranda Bogujevci dhe këshilltarët, ka pritur sot në takim ministrin e Drejtësisë të Mbretërisë së Danimarkës, Nick Hækkerup, i cili shoqërohej nga ambasadori jorezident për Kosovë, René Rosager Dinesen dhe bashkëpunëtorët.
Kujtojmë se në dhjetor të viti që lamë pas ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu dhe homologu i saj danez, Nick Hakkerup kanë nënshkruar marrvëehsjne për dhënie me qera të burgjeve. Sipas kësaj marrëveshjeje 300 qeli burgu të Kosovës i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës.
Qendra korrektuese me 300 qeli që i është dhënë me qira shtetit të Danimarkës gjendet në fshatin Pasjak, në afërsi të qytetit të Gjilanit në lindje të Kosovës dhe aty do të vendosen 300 të burgosur, që nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë, ku nuk do të ketë të dënuar për terrorizëm dhe as të dënuar me sëmundje mendore.
Kosova në 10 vitet e ardhshme duke i lëshuar 300 qeli burgu me qira shtetit të Danimarkës, pritet të përfitojë një shumë prej 210 milionë eurosh.