Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla ka folur për takimin që krerët e shtetit pritet të zhvillojnë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Bliken. Ajo ka thënë se takimi është në rrethana të natyrshme në mes të dy shteteve mike dhe një hap më tej në forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka thënë se takimi është planifikuar kohë më parë.
“Sa i përket takimit të sotëm të presidentes dhe kryeministrit të vendit, po, ata do të kenë sot një takim të planifikuar kohë më parë me sekretarin e shtetit, Antony Blinken, edhe ne presim një takim të mirë mes shtetesh jo vetëm mike por mes Kosovës dhe shtetit i cili është garant i pavarësisë së këtij vendi. Kjo nuk është një thyerje akulli por është një hap më tej në forcimin e marrëdhënieve tona të cilat ambasadori amerikan në dhjetor të vitit të kaluar i ka përshkruar si marrëdhëniet më të mira që Kosova ka pasur ndonjëherë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra është një takim i mirë, është një takim me të cilin lidhim pritje të caktuar, por në të njëjtën kohë është një takim në rrethana të natyrshme mes dy shteteve mike”, ka thënë Gërvalla në një konferencë për media.
Presidenca ka njoftuar se Osmani dhe Kurti ta martën pasdite do të priten në takim nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
“Sot, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu dhe kryeministri Albin Kurti do të priten në takim nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Në fokus të diskutimeve do të jetë thellimi i partneritetit bilateral Kosovë-SHBA në nivel strategjik, angazhimi i përbashkët në drejtim të adresimit të sfidave ndaj paqes dhe sigurisë në rajon dhe Evropë, si dhe mbështetja për Kosovën në sektorët strategjik. Takimi me Sekretarin e Shtetit Blinken do të mbahet në një periudhë përcaktuese për sigurinë dhe paqen në rajonin tonë, si dhe për kontinentin evropian e më gjerë si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Në këtë takim presidentja Osmani do të kërkojë vazhdimin e mbështetjes amerikane për forcimin e pozitës ndërkombëtarë të Kosovës.
“Në takim, Presidentja Osmani do të kërkoj vazhdimin e mbështetjes amerikane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, duke përfshirë edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ajo do ta informojë Sekretarin Blinken edhe për hapat të cilat i ka ndërmarrë Kosova në avansimin e rrugëtimit euroatlantik, si dhe për angazhimin aktiv të institucioneve të Kosovës në drejtim të zbatimit të reformave në fushën e sundimit të ligjit”, thuhet më tej në njoftim.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë udhëtuar të hënën për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në Kongresin amerikan për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për Programin Kompakt të Kosovës.