Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell do të thërrasë të martën (2 maj) një takim të nivelit të lartë në Bruksel si pjesë e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq konfirmuan pjesëmarrjen në këtë takim.
Borrell me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajčák, do të zhvillojë një takim të përbashkët me liderët, duke filluar nga ora 18:00. Takimi do të fokusohet në zbatimin e marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve.
“Palët pritet të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës, e cila do të pasohet nga prezantimi/diskutimi mbi draft-statutin e parë të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë Serbe në Kosovë. Palët do të kenë gjithashtu mundësinë të diskutojnë çështje aktuale me rëndësi politike”, u bë e ditur në komunikatë.
Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell do të bëjë një deklaratë për media në fund të takimit në ndërtesën e EEAS.