Ekspertja e gjuhës së trupit, Mary Civiello nga New Yorku, tha se paraqitja e presidentit amerikan, Joe Biden dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, dëshmon autoritet dhe vetëbesim, por të dy kanë qëndrime të kundërta.
“Nuk është rodeja e parë për ta. Të dy dukeshin me plot besim, por kishin stile të kundërta”, deklaroi ajo.
Kur dyshja u përshëndetën për herë të parë me një shtrëngim duarsh, ajo vuri në dukje se Biden kishte një buzëqeshje të vogël, një shenjë që ai është “i gatshëm të luajë topin”, ndërsa Putin pa emocione. E njëjta dinamikë i udhëhoqi ata edhe kur hynë brenda.
“Kur u ulën, këmbët e Biden ishin të drejtuara, paksa të kthyera nga Putin, që i përshtatet dikujt që zhvillon një bisedë të hapur”, tha Civiello.
Në anën tjetër, Putin i kishte këmbët larg njëra-tjetrës dhe drejt përpara, që është shenjë se ai është më pak i gatshëm për një bisedë të hapur.
Ajo vlerëson se Biden ka një stil më “fitimtar dhe bashkëkohor”.
Biden është presidenti i katërt i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që u takua me Putinin./UBTNews