Tajvani ka nxjerrë një vaksinë të prodhuar në vend për publikun kundër COVID-19, dozën e parë të së cilës e mori presidentja Tsai Ing-wen, në një spital të Taipeit, për të demonstruar besim para masës se sa e sigurt është kjo vaksinë.
E prodhuar nga “Medigen Vaccine Biologics Corp.”, vaksinës iu dha miratim urgjent nga rregullatorët në korrik, por që nxiti kundërshtim të ashpër nga një pjesë e komunitetit mjekësor dhe shkencor të Tajvanit. Tsai, e cila e kishte shtyrë marrjen e vaksinës Moderna ose Astra Zeneca – vaksinat kryesore aktuale të programit të vaksinimit në Tajvan, të hënën mori vaksinën Medigen. Presidentja po bisedonte me punonjësit mjekësor derisa ata përgatisnin vaksinën, dhe pyetjes së gazetarëve nëse ishte nervoze në ato momente, ajo u përgjigje me një “Jo”.
I gjithë procesi u transmetua drejtpërdrejt në faqen e saj në Facebook. Më shumë se 700,000 njerëz janë regjistruar deri më tani për të marrë vaksinën Medigen, e cila pason me një dozë të dytë 28 ditë pas së parës. E zhvilluar në bashkëpunim me Institutet Kombëtare të Shëndetit në SHBA, vaksina Medigen përdor një pjesë të koronavirusit për të mësuar trupin që të krijojë imunitet. Qeveria tajvaneze ka urdhëruar një dozë fillestare prej pesë milionë sosh dhe thotë se askush nuk do të detyrohet t’i marrë ato.
Vaksina ende nuk ka përfunduar provat e saj klinike dhe nuk ka të dhëna për efikasitetin, por rregullatorët tajvanezë miratuan vaksinën pasi krahasuan nivelin e antitrupave që Medigen ishte në gjendje të gjeneronte me atë të AstraZeneca, e cila vaksinë është miratuar tashmë nga shumë qeveri dhe i është nënshtruar tri fazave të plota të testimeve klinike. Ata thanë se të dhënat e ofruara treguan se Medigen prodhoi 3.4 herë më shumë nivelin e antitrupave neutralizues sesa Astra Zeneca, duke shtuar se Medigen do të kërkohet të paraqesë të dhëna të efikasitetit në botën reale brenda një viti pas miratimit.
Vendimi për të dhënë miratimin bazuar në standardin e ri bëri që një ekspert nga komiteti këshillues për vaksinat të japë dorëheqjen. Partia kryesore opozitare e Tajvanit, Kuomintang, ose KMT, gjithashtu ka zhvilluar një fushatë kundër vaksinës, me një nga ish-nënkryetarët e saj, Hau Lung-bin, që ka ngritur një padi për të zhvlerësuar autorizimin e Medigen, të cilën padi një gjykatë e refuzoi javën e kaluar. Partia thotë se mbështet vaksinat vendase, por miratimi i Medigen është nxituar.
Medigen, që nga kinezishtja nënkuptohet si diçka e “nivelit të lartë”, hedh poshtë pretendimet se vaksina e saj është e pasigurt ose nëse ka dalë në treg me nxitim të panevojshëm, duke thënë se është efektive dhe e testuar mirë. “Ne kemi bërë kaq shumë eksperimente, të gjithë e kanë parë se sa e sigurt është vaksina jonë.
Ka shumë pak efekte anësore, pothuajse pa ethe dhe pa efekte të tjera anësore. Prandaj, mendoj se të gjithë mund të jenë të sigurt”, tha shefi ekzekutiv i Medigen, Charles Chen, për Reuters. Deri të premten e kaluar, 40 për qind e popullsisë së Tajvanit prej 23 milionësh kishin marrë të paktën një dozë të një vaksine COVID-19.
Politika e vaksinimit të ishullit është që të ketë përparësi në vaksinimet e para vetëm për grupmoshat më të rrezikuara, siç janë punonjësit mjekësorë, fillimisht duke marrë dy dozat e plota. COVID-19 ishte neutralizuar thuaja krejtësisht në Tajvan për një vit e gjysmë gjatë pandemisë, derisa një shpërthim i shpejtë i variantit “Alpha” u përhap në të gjithë ishullin gjatë muajit maj, duke shkaktuar një bllokim në shkallë të gjerë.