Ushtria e Tajvanit njoftoi të martën rreth planeve për t’i lejuar gratë që vullnetarisht të trajnohen për forcat ushtarake rezervë. Një lëvizje e tillë bëhet për herë të parë dhe vjen teksa rreziku për një pushtim të mundshëm nga Kina është rritur.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha se do të lejojë 220 ushtare femra të regjistrohen në trajnim duke filluar nga tremujori i dytë i këtij viti.
Nga Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit thanë se më parë kanë trajnuar vetëm rezervistë meshkuj për shkak se nuk kishte kapacitet të mjaftueshëm për të akomoduar të dy gjinitë.
Ligjvënësit tajvanezë kanë thënë se përjashtimi i grave nga trajnimi rezervë përbën diskriminim gjinor.
Gjatë muajit dhjetor, Tajvani njoftoi se do të zgjasë periudhën e rekrutimit të detyrueshëm ushtarak për të gjithë burrat e kualifikuar nga katër muaj në një vit duke filluar nga viti 2024, dhe kërkesa do të zbatohet për burrat e lindur pas vitit 2005./UBTNews/