Shtetet e Bashkuara të Amerikës miratuan shitjen e mbi 1 mijë dronëve të vegjël në vlerë prej 360 milionë dollarëve për Tajvanin, derisa ishulli po synon të forcojë aftësitë e tij luftarake asimetrike duke marrë për bazë taktikat e suksesshme të përdorura në fushën e betejës në Ukrainë.
Tajvani do të marrë 720 raketa Switchblade dhe sisteme shoqëruese të kontrollit të zjarrit në vlerë prej 60.2 milionë dollarë, sipas një njoftimi nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes së SHBA (DSCA) të martën.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu do t’i ofrojnë Tajvanit deri në 291 municione bredhëse Altius 600M dhe komponentë mbështetës me një çmim prej 300 milionë dollarësh, tha DSCA.
Kjo shitje erdhi në periudhën kur Kina rriti presionin ushtarak mbi Tajvanin, duke zhvilluar ushtrime ushtarake rreth tij dhe fluturime pothuajse të përditshme me avionë luftarakë pranë ishullit./UBTNews/