Masat e rrepta të Tajlandës për COVID nënkuptuan që vendi i preferuar për shumë turistë të ndalohej gjatë pandemisë. Por tani, me turizmin që do të fillojë edhe një herë, vendi nuk është i sigurt se dëshiron që i njëjti lloj vizitorësh të kthehen në brigjet e tij, përcjell UBT News.
Historikisht, vendi ka tërhequr një numër të madh turistësh, nga ata që janë të padisiplinuar me çanta shpine deri te grupet e mëdha turistike që tregojnë pak kujdes për mjedisin.
Tani Tajlanda dëshiron të ndryshojë historinë e turizmit masiv, me ministrin e Turizmit, Phiphat Ratchakitprakarn, i cili deklaroi se fokusi duhet të jetë tek “udhëtarët e nivelit të lartë, në vend të një numri të madh vizitorësh”.
Të lumtur që përjetuan ndryshim ishin edhe ishujt Phi Phi, të njohur botërisht për plazhet e tyre të bardha dhe ujërat e pastër blu. E kur bllokimet i mbanin larg turistët, ky rajon po rikuperohej në heshtje nga vitet e mbiturizmit.
Para pandemisë, Parku Kombëtar Phi Phi kishte më shumë se 2 milionë vizitorë çdo vit me 6,000 njerëz në ditë. Ky turizëm masiv i pakontrolluar e la në rrëmujë ekosistemin delikat të rajonit.
“Mbulesa e koraleve është ulur me më shumë se 60 për qind në pak më shumë se 10 vjet”, i tha AFP Thon Thamrongnawasawat nga Universiteti Kasetsart.
Problemi u bë aq i keq sa në vitin 2018, Thon i shtyu autoritetet të mbyllnin një pjesë të Maya Bay. Ajo është mbyllur që atëherë dhe pastaj me kufizimet e rrepta të udhëtimit, numri i vizitorëve në rajon u zvogëlua në pothuajse zero. Me këtë rast, natyra filloi të rimëkëmbet.
Peshkaqenë e balena të rrezikuara janë parë në vend, speciet e breshkave janë kthyer dhe më shumë se 40 për qind e fragmenteve të koraleve të rimbjellura në Gjirin Maya kanë mbijetuar.
Thon e quan atë “një shifër shumë e kënaqshme e marrë falë mungesës së vizitorëve”.
Megjithatë, për të bërë një rikuperim të plotë, këtyre shkëmbinjve koralorë do të nevojiten edhe dy dekada të tjera pa vizitorë.
Ka ende shumë njerëz në Tajlandë që mbështeten te turizmi si një burim të ardhurash, megjithatë, dhe tani qeveria tajlandeze shpreson të ringjallë industrinë me fokus në një lloj vizitori më të qëndrueshëm.
Për të tërhequr vizitorë ‘cilësorë’, qeveria po lehtëson gjithashtu rregullat rreth jahteve dhe po rishikon taksat për sendet personale dhe mallrat luksoze./UBTNews/