Tajlanda e ka bërë një hap më afër drejt barazisë martesore, pasi të mërkurën dhoma e ulët e Parlamentit e miratoi në lexim të dytë një projektligj për lejimin e martesës ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.
Ky projektligj duket të kalojë në Senat dhe ta marrë pëlqimin e mbretit për t’u bërë ligj.
Ai u mbështet nga të gjitha partitë e mëdha të Tajlandës, duke i marrë 400 vota nga 415 deputetë të pranishëm, dhe vetëm 10 kundër.
“Ne e bëmë këtë për të gjithë popullin tajlandez, për ta zvogëluar pabarazinë në shoqëri dhe për të filluar të krijojmë barazi”, tha Danuphorn Punnakanta, kryetar i komisionit parlamentar, para se deputetët të votonin.
“Dua t’ju bëj thirrje të gjithëve ta shkruani historinë”, shtoi ai.
Kalimi i këtij projektligji shënon hap të rëndësishëm drejt vulosjes së qëndrimit të Tajlandës si njëra prej shoqërive më liberale aziatike për çështjet e homoseksualëve, lezbikëve, transgjinorëve dhe biseksualëve (LGBT), duke qenë e hapur për bashkëjetesë me vlerat tradicionale dhe konservatore budiste.
Tajlanda për një kohë të gjatë ka qenë vend tërheqës për çiftet e gjinisë së njëjtë, falë një skene të gjallë shoqërore e komunitetit LGBT për vendësit dhe mërgimtarët, si dhe ka bërë fushata për t’i joshur vizitorët e komunitetit LGBT.
Ky ligj mund të futet në fuqi brenda 120 ditëve pas miratimit mbretëror.
Kështu, Tajlanda do të bëhej vendi u tretë në Azi, pas Tajvanit dhe Nepalit, që e legalizojnë martesën ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë./REL