Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, ka bërë thirrje për një përshpejtim të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimi Evropian, duke theksuar se këto vende nuk mund të presin pafundësisht për anëtarësim. Në një deklaratë të bërë në Podgoricë, si pjesë e turit të tij në këtë rajon, Tajani ka shpërndarë shqetësimet e tij për ndalimin e procesit të zgjerimit dhe për pasojat që mund të ndodhin nëse Evropa nuk është e pranishme në Ballkan.
“Rreziku për ne, për Evropën, është të mos jemi më të pranishëm në Ballkan. Natyrisht kur je në mes të diçkaje, ose shkon nga njëra anë, ose nga tjetra dhe këto vende po presin prej shumë kohësh,” ka thënë Tajani, duke e theksuar nevojën për veprim të menjëhershëm.
Ai ka kritikuar disa burokratë në vendet perëndimore, veçanërisht në ato nordike, për qasjen e tyre burokratike ndaj procesit të zgjerimit, duke e konsideruar këtë si një pengesë për përparimin e integrimit. Tajani ka shtuar se nuk duhet të zhgënjejmë më vendet e Ballkanit, pasi ato janë pjesë e Evropës dhe është e rëndësishme të respektohet identiteti i tyre dhe të sigurohet stabiliteti i rajonit.
Përsa i përket tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, Tajani ka bërë thirrje për dialog dhe përmbushje të marrëveshjeve ekzistuese. Ai ka theksuar se Kosova duhet të bëjë hapa përpara dhe të respektojë marrëveshjet, ndërsa ka nënvizuar nevojën për të mbrojtur pakicat dhe për të respektuar historinë dhe kulturën e tyre.
Ministri italian i Jashtëm ka theksuar miqësinë tradicionale mes Italisë dhe vendeve të Ballkanit dhe ka shprehur gatishmërinë e Romës për të luajtur një rol aktiv në stabilizimin dhe zhvillimin e rajonit, duke kontribuar në paqen dhe përparimin e tij./UBTNews/