Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani tha se dërgimi i trupave të NATO-s në Ukrainë do të nënkuptonte rrezikimin e shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore.
“Unë mendoj se NATO nuk duhet të hyjë në Ukrainë. Do të ishte një gabim. Ne duhet të ndihmojmë Ukrainën të mbrohet, por të hysh në vend për të bërë luftë kundër Rusisë do të thotë të rrezikosh Luftën e Tretë Botërore”, tha Tajani në një intervistë në një ngjarje në qytetin verior italian të Veronës.
Vërejtjet e ministrit të jashtëm vijnë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron hodhi idenë e dërgimit të trupave për të mbrojtur Ukrainën kundër agresorit të saj.
“Ushtria jonë është e mirë në atë që bëjnë, duke mbrojtur anijet tona në Detin e Kuq, ose e bëjnë mirë atë që bëjnë në Liban, Afrikë dhe Irak. Ata janë bartës të paqes dhe lirisë”, tha ai.
Tajani komentoi gjithashtu luftën e vazhdueshme në Gaza, duke thënë se Italia duhet të punojë me “vendet e moderuara myslimane”, si Egjipti, për të arritur një marrëveshje paqeje për Rripin e Gazës.
“Egjipti është një aktor vendimtar në përpjekjen për të gjetur një marrëveshje që do të sjellë paqe në Gaza. Egjipti, ashtu si Katari, është një vend themelor për stabilitetin e këtij rajoni dhe të Mesdheut”, tha ai. /AA