Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha sot pas mbylljes së sesionit parlamentar të Kuvendit të Kosovës se Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti e kanë shfrytëzuar shumicën parlamentare për të kapur institucionet vitale të shtetit.
Në një konferencë për media, Tahiri tha se Kurti dhe deputetët e Vetëvendosjes e kanë shfrytëzuar punën 150 ditëshe në Kuvend “për të shkarkuar borde të institucioneve të pavarura, menaxhmete profesionale dhe për të emëruar familjarët e ministrave të Vetëvendosjes, familjarët e presidentes së Kosovës dhe nipat, mbesat, hallat e tezet e tyre”.
“Atë që e kam thënë nga fillimi i punës së kësaj mazhorance, edhe sot u konfirmua se Vetëvendosje dhe Albin Kurti janë shndërruar në ndërmarrjen më të madhe të punësimeve familjare. Derisa e nisën sesionin parlamentar me shkarkime e emërime familjare, sot Albin Kurti e mbylli sesionin parlamentar me kapjen edhe të njërit prej institucioneve më të rëndësishme të Kosovës, siç është
Zyra e Auditorit të Përgjithshëm. Albin Kurti, sot emëroi Auditore të Përgjithshme motrën e këshilltares së tij”.
Ai tha se standardin që Kosova e pati ndërtuar me shumë mund dhe ndihmë të partnerëve të saj strategjikë ndërkombëtarë, që Zyra Kombëtare e Auditorit të jetë e pavarur, e paanshme dhe kredibile, sot, sipas tij, Kurti e rrënoi dhe e kapi për ta përdorur si instrument të pushtetit të tij personal.
“Nga sot, raportet e Auditorit të Përgjithshëm për institucionet qendrore të Kosovës, për Komunat dhe institucionet e tjera të pavarura, përfshirë raportet për sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës, do të shkruhen në Zyrën e Albin Kurtit dhe ai do të jetë autori i degradimit dhe besueshmërisë së këtij institucioni”.
Duke folur për punën gjatë këtij sesioni parlamentar, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së tha se prej themelimit të Kuvendit të Kosovës, kjo është mazhoranca më e dobët parlamentare.
“Për 150 ditë qeverisje, Kuvendi i Kosovës i ka miratuar vetëm 4 ligje. Asnjëri prej këtyre ligjeve nuk lidhet me zbatimin e premtimeve që i ka dhënë Albin Kurti gjatë fushatës para qytetarëve. Kjo flet më së miri për paaftësinë e kësaj Qeverie dhe këtyre deputetëve të shumicës parlamentare”.
Tahiri ka thënë se gjatë punës në këtë sesion parlamentar partia e tij ka ngritur zërin ndaj vendimeve që ka marrë Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes.
“Me iniciativë të Grupit Parlamentar të PDK-së, kemi denoncuar krimin ekonomik që kjo shumicë parlamentare e Vetëvendosjes e bëri në Kuvend, kur vendosi që të paguaj 11 milionë euro për energjinë eletrike në veri. Jemi të bindur që Gjykata Kushtetuese do të nxjerr vendim që i konfirmon argumentet tona”.
“Gjatë këtij sesioni Parlamentar, përballë këtij pasiviteti dhe përballë paditurisë së partisë në pushtet, ne kemi ftuar pesë debate parlamentare për abuzimet dhe keqpërdorimet e kësaj qeverie, si në shëndetësi, në arsim, në ekonomi, në infrastrukturë dhe së fundmi për raportimin e punës 100 ditëshe. Po ashtu, ne kemi ndërmarrë edhe iniciativa ligjore si deputetë, pasi që Qeveria jo vetëm që nuk ka vizion, por as edhe nuk i ka përmendur në programin e saj temat siç janë ligji për TVSH-në, ligji për çmimet e produkteve medicinale e të tjera”.
“Në sesionin e ardhshëm parlamentar i cili fillon në mesin e muajit shtator, PDK si lidere e opozitës, do të bëjë edhe më shumë për të ndalur keqqeverisjen e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.