Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se tashmë i ka siguruar nënshkrimet për të thirrur seancë të jashtëzakonshme lidhur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të energjisë elektrike.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri derisa këtë vendim të ZRrE-së e konsideron të dëmshëm dhe në sinkronizim me Qeverinë e Kosovës, u shpreh se do të përdorin të gjithë mekanizmat përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese për ta revokuar këtë vendim për bllok tarifa.
“Ne kemi diskutuar me grupet parlamentare pra me PDK-në dhe LDK-në, jemi duke i mbledhur nënshkrimet, ne i kemi nënshkrimet tona të mbledhura, jemi duke e bërë edhe kërkesën për një seancë të jashtëzakonshme, ne mendojmë që gara duhet të ndodh në Kuvend në seancë. Ne si deputetë paguhemi si deputetë me e përmbysur me e ndal një vendim tepër të dëmshëm të ZRrE-së e cila ka qenë gjatë gjithë kohës e sinkronizuar me Qeverinë për këto tarifa. Andaj, ne i kemi nënshkrimet dhe do të punojmë që kjo të ndodh… Ne duhet të mundohemi që nga Kuvendi sepse ZRrE është organ i Kuvendit, nga Kuvendi të shohim që këtë çështje ta revokojmë nëse jo do të përdorim të gjithë mekanizmat e pse jo edhe Gjykatën Kushtetuese për ta ndal”, theksoi Tahiri.
Në një konferencë për medie, Tahiri u shpreh i kënaqur për votimin e rezolutës së propozuar nga ky grup parlamentar lidhur me Ligjin e Pagave. Por krahas kërkesës që sa më shpejt ligji të procedohet për miratim në Kuvend, ai tha se kërkojnë që koeficientet e pagave të bëhen mbi bazën e ngritjes së çmimeve që kanë ndodhur.
“Grupi parlamentar i AAK-së është jashtëzakonisht i kënaqur që Kuvendi i Kosovës e miratoi rezolutën tonë për Ligjin e Pagave që të miratohet sa më shpejt që është e mundshme. Duhet theksuar dy momente të rëndësishme, e para, ky ligj është miratuar nën udhëheqjen e kryeministrit, Ramush Haradinaj ka qenë një situatë jashtëzakonisht e rëndë, 10 vite është munduar që ky vit të vije. Në atë kohë koeficienti që e kemi vendosur ka qenë 239 euro, përderisa në atë kohë çmimi i bukës ka qenë 30 cent, çmimi i qumështit është 80 cent, sot ka një rritje enorme të çmimeve të cilat duhet të reflektojnë në koeficientin e ardhshëm në ngritjen e koefientit për të gjithë zyrtarët publikë… Kërkesa jonë për Qeverinë është që ligji të vjen sa më shpejt në Kuvend, por kërkesa shtesë është që të mos eksperimentohet me koeficientë, koeficientët të barazohen mbi bazën e ngritjes që ka ndodhur”, tha ai.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka shprehur shqetësimin për sigurinë në vend. Ai tha se krimi në të gjitha format ka shënuar rritje, prandaj kërkoi nga Qeveria e Kosovës të reagojë me seriozitet.
“Ne jemi të shqetësuar edhe me sigurinë në vend, krimi i të gjitha formave ka shënuar ngritje, më së shumti dhuna në familje, aksidentet në komunikacion dhe dukuritë tjera. Mendojmë se ngurtësia e kësaj qeverisje, joprofesionalizmi apo mungesa e qasjes së duhur ndaj këtyre fenomeneve ka shënuar ngritje të krimit në Kosovë. E ftoj Qeverinë me pas fokusin më serioz në këtë temë sepse jemi në një gjendje të keqe”, u shpreh ai.
Bordi i Zyrës Rregullative të Energjisë (ZRrE) sot unanimisht ka miratuar vendimin për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët shtëpiakë që shpenzojnë rrymë mbi 800 kilovat.
Konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat do të paguajnë më shumë nga nesër 12.5 cent për kilovat për tarifën e ditës dhe 6 cent për tarifën e ulët.