Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se në seancën që është paraparë të mbahet të mërkurën do të kërkojnë shkarkimin e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari. Kjo, sipas tij, vjen pas disa skandaleve në këtë ministri.
“Pikë e propozuar nga PDK-ja që do ta trajtojë gjendjen mjaft të rëndë të Ministrisë së Tregtisë, një mori skandalesh që kanë ndodhur brenda dy viteve, dënimin për mosdeklarimin e pasurisë së ministres që e drejton këtë dikaster dhe pikërisht kemi përgatitur një rezolutë që kërkon shkarkimin e ministres Rozeta Hajdari”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së kryesisë.
Ai tha se do të angazhohen ta shkarkojnë edhe ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Ai tha se kanë përgatitur një raport për krizën energjetike dhe do të bëjnë kallëzim penal për drejtuesit e sistemit energjetik të vendit.
“Jemi duke përgatitur raportin për të bërë një kallëzim penal për drejtuesit e institucioneve në sistemin energjetik që kanë ndodhur në atë periudhë. Ju e dini se aty është intervistuar edhe zoti Berishaj, i cili ka gënjyer nën betim për disa çështje që e kemi pyetur për të hyrat milionëshe. Siç duket ky po del të jetë një problem i madh e shohim një mbrojtje të fuqishme që i bëjnë ata një ambasadori të inkriminuar në një krim ndërkombëtar për shpëlarje parash. Do të angazhohemi në vazhdimësi që ky person që i ka bërë dëm të madh vendit tonë të shkarkohet dhe të vihet para drejtësisë”, u shpreh Tahiri.
Sipas tij, që nga lufta nuk ka pasur person që ka kryer një krim të tillë, që në sy të institucioneve t’i tërheqë mbi 1 milion euro nga banka.