Vendimet që i marrin personat zyrtarë që janë me pozitë ushtrues detyre mund të kontestohen nga institucionet juridike dhe të konsiderohen antiligjore, sipas Ligjit Për Zyrtarët Publik. Kështu ka thënë shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.
Në një konferencë për media, Tahiri ka thënë se mbajtja e këtyre pozita me zëvendësues është në kundërshtim me Ligjin Për Zyrtarët Publik Neni 35, ligj ky i cili ka hyrë në fuqi tash e një vit.
“Kohëzgjatja e funksionin është e kufizuar me këtë ligj dhe nuk ekziston mundësia me një akt ligjor që të zgjatet mandati. Andaj, rrezikohemi që të gjitha vendimet që nënshkruhen nga UD mund të bien në kundërshtim dhe mund të mos prodhojnë efekt juridik. Unë nuk kam asgjë për emrat e përveçëm të cilët bartin ushtrues detyre por kjo praktikë në këtë mandat, është duke shkatërruar shërbimin civil dhe duke i bërë dëm Administratës Shtetërore dhe duke vë në pikëpyetje këto nënshkrime”, ka thënë Tahiri.
Sipas Tahirit, tejkalimi i këtij afati përveç që është paligjshmëri në vetvete, “prodhon edhe një pasojë tjetër juridike që është shpallja e paligjshme e çdo vendimi të marrë nga U.D, pas kalimit të afatit 1 vjeçar siç përcaktohet nga vet LZP”.