Partia Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se sesioni pranveror i Kuvendit të Kosovës për grupin parlamentar të Partisë Demokratike ka qenë periudhe e fitoreve të betejave kushtetuese për të mbrojtur sipas tyre interesin publik dhe vlerat e shtetit demokratik të Republikës së Kosovës.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri ka përmendur iniciativat për Komisione Hetimore.
“Grupi parlamentar i PDK-së gjatë kësaj periudhe ka pas një mori iniciativash që lidhen me Komisionet Hetimore me debatet parlamentare me pyetje parlamentare me interpelanca gjithmonë me një qëllim të vetëm për të zbardh ato që ne i kemi pretenduar që janë afera, që janë zhvatje, që janë kontrata një burimore që janë probleme që ndërlidhen edhe në rastin Dehari e shumë e shumë çështje të tjera që në fakt shumë prej tyre arritën të kenë epilog dhe të shkojnë iniciativat deri në fund ashtu siç kemi planifiku ne si grup parlamentar i PDK-së”, tha Tahiri.
Tahiri ka folur edhe për komisionin Hetimor për subvencionimin e librave shkollore në të cilin sipas tij janë dëshmuar pretendimet e tyre.
“Komisioni i katërt që e kemi iniciuar ka qenë komisioni për hetimin e subvencionimit të librave në kohën kur dështoi kontrata që nxënësit në Republikën e Kosovës më 1 shtator të vitit të kaluar pajisën për vitin shkollor 2023 / 2024… ne kemi aludu në vazhdimësi se ky është një keqpërdorim dhe se në këtë formë nuk do të arrihet që të përmbushet obligimi jon shtetëror që secili nxënës ti ketë librat dhe në një periudhë të hetimit të këtij komisioni veç se është dëshmuar një gjë e tillë”, shtoi Tahiri.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së ka folur edhe për fitimin e betejave kushtetuese të tyre.
“Beteja e parë që ka të bëj me Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ishte një iniciativë që binte ndesh me rendin tonë kushtetues që Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë pretendimeve tona. Dhe, në anën tjetër ishte edhe Ligji për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, e cila ishte një iniciativë për ta rrënuar shërbimin civil në Republikën e Kosovës, një investim 20 vjeçar si nga fondet tona si taksapagues të shtetit dhe nga fondet e BE”, tha Tahiri.
Tahiri ka folur edhe rreth incidentit të presidentes Vjosa Osmani në Shkup duke thënë se përfaqësuesit diplomatikë duhet të japin njoftime se për çfarë incidenti bëhet fjalë./UBTNews/