Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se përgjimet e publikuara ndërmjet shefes së deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe ish nënkryetarit të Listës Serbe, terroristit Milan Radoiçiq tregojnë se qeveria Kurti ka pasur koordinim dhe koalicion të fshehur me Listën Serbe.
Ai në seancën e Kuvendit, tha se ky koordinim është një thikë pas shpine ndaj demokracisë së Kosovës.
“Duhet ta dina dhe të kemi transparencën në këtë Kuvend se ky koordinim a është një thikë pas shpine ndaj demokracisë në Kosovë. Që nga nisja e kësaj legjislature neve na është thënë këtu se s’ka koalicion me Listën Serbe. Na është thënë se s’ka asnjë marrëveshje me ata. Përgjimet vërteton se një marrëveshje kundër disa vlerave që lidhen me të mirën publike dhe të qytetarëve ka ndodh dhe ajo duhet të debatohet nga ne dhe nga ju deputetë të shumicës parlamentare. Kjo qeveri s’ka etikë politike”, tha ai.
Tahiri i reagoi Kusari-Lilës edhe për akuzat ndaj AAK-së se në momentin e formimit të qeverisë Haradinaj në vitin 2017 e ka pritur Listën Serbe mbi shtatë orë në Kuvend.
“Nuk mundesh me vendosë argument që nuk qëndron. Mashtrimi dhe rrena luftohen vetëm më e të vërtetën. Të vërtetën e dinë ky popull kush është Ramush Haradinaj, cili është kontributi i tij në luftë dhe liri dhe e dinë kush je ti. S’mundesh me na shitë moral për atë temë”, theksoi ai.