Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të enjten më 27 qershor. Kështu ka bërë të ditur kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri i cili tha se mungesa e agjendës parlamentare e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje ka bërë që një kohë të gjatë mos të takohen pavarësisht që sipas tij kishim pika të tjera të cilat ishin në interes të opozitës.
Si pika kryesore që pritet të diskutohen në seancën e së enjtes, Tahiri ka përmendur projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media dhe atë për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Tahiri tha se janë duke punuar me këshilltarët ligjor të PDK që ta shohim mundësin që projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media ta dërgojnë në gjykatën kushtetuese. Ai ka kundërshtuar këtë projektligj duke thënë se ka tendencë të qeverisë për kontrollimin e mediave online.
“Ajo çka do ta diskutoj me juve janë dy çështje të rëndësishme dhe mjaftë kritike për nga perspektiva jonë nga mënyra si i shohim ne. Është projektligji i Komisionit të Pavarur për Media i cili është në rend dite në seancën e ditës së enjte dhe është ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Këto dy projektligje paraqesin një shqetësim jashtëzakonisht të madh sidomos te projektligji i Komisionit të Pavarur për media ju e dini që tashmë ka pasur kritika të mjaftueshme edhe nga shoqëria civile poashtu edhe nga zyrtarë të BE-së në Kosovë dhe nga Këshilli i Evropës dhe mund të themi se prej rekomandimeve që kanë ardh nga Këshilli i Evropës, për standardet të cilat duhet të ketë një projektligj i tillë nuk janë përputh fare ose në masën më të madhe janë injoruar mund të themi lirish. Ky projektligj është një tendencë e kontrollimit të mediave online të cilin ne e kundërshtojmë”, tha ai.
Tahiri tha se kanë kërkuar edhe themelimin e një Komisioni Hetimor.
“Ju e dini që ka qenë një skandal jashtëzakonisht i madh në përllogaritjen e borxhit të ujit të kompanive, ambalazhuesve të ujit. Ne si grup parlamentar i PDK qysh prej periudhës kur këto fakte kanë dal në mediat e Kosovës kemi iniciuar themelimin e një Komisioni Hetimor. …… Komisioni Hetimor i bënë bashkë gjithë akterët dhe arrin me nxjerr një përfundim nëse vërtetë ministria e Planifikimit Hapësinor apo agjencitë që janë brenda kësaj ministrie kanë bërë shkelje kanë dëmtu buxhetin apo është një proces i rregullt apo këto pretendimet tona mund të mbesin vetëm në nivel të pretendimeve”, shtoi Tahiri.
Derisa për takimin e ardhëm për dialogun Kosovë-Serbi, tha se nuk presin se do të dalë diçka jashtë temave që i ka prodhuar kryeministri Albin Kurti.
“Vendit tonë i duhet një qeveri e re. Tash e dy vite e gjysmë produktet e kryeministrit Kurti në dialog i kemi pa është vetëmenaxhimi, marrëveshja e Brukselit e vitit 2022 dhe aneksi i Ohrit që janë jashtëzakonisht të dëmshme, është draft statuti i cili tash është në tavolinën e kryeministrit të Kosovës dhe nga bashkësia ndërkombëtare i kërkohet ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese. Këtu nuk mund të presim që do të dal diçka jashtë këtyre temave që i ka prodhu Kurti në dialog. Normalisht unë nuk di për agjendën, unë nuk di për mënyrën se si është organizu, por ajo çka mund ta vlerësojë që komplet angazhimi në këtë takim të radhës do të jetë në temat që i ka prodhu Kurti këto dy vite e gjysmë”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel më 26 qershor, për të zhvilluar rundin e ri të takimeve rreth dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.