Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se refuzimi i kryeministrit të vendit, Albin Kurti për t’u takuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama është veprim skandaloz.
Në një konferencë për media shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka theksuar se kryeministri i Shqipërisë, Rama ka plotësuar tashmë kushtin e kryeministrit për nënshkrimin e marrëveshje, ku kërkoi nga kryeministri Kurti që të ketë takim.
Tahiri, tha se Rama vjen si një përfaqësues i një shteti që është anëtar në NATO dhe jo si një individ.
“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vjen në shtëpinë e vet, tek vëllezërit e motrat e veta dhe mospranimi që të takohet me Kryeministrin e Shqipërisë nga Kurti është një ndër skandalet më të mëdha, një ndër momentet që e bënë të turpshëm secilin shqiptar që frymon dhe mendon shqip. Edi Rama është kryeministër, nuk vjen si person privat, ai përfaqëson një shtet që është anëtar i NATO-s. Takimi duhet të ndodhë, sepse Edi Rama ka bërë edhe një hap tutje që ka urdhëruar të gjithë ministrat e vet që 13 marrëveshjet të nënshkruhen nga pala shqiptare në mënyrë që të plotësohet edhe kushti i kryeministrit, Kurti. Këto kushtëzime jo që bien ndesh me synimet tona politike por zbardhin një agjendë mashtruese që ka pasur Kurti, duke nisur prej platformës të Bashkimit Kombëtar, e valëvitjes së flamurit shqiptar në Kuvend. Shoh një veprim skandaloz dhe kërkesa jonë është që të ketë takim”, tha Tahiri.
Tahiri tha se i qëndrojnë prapa mocionit për rrëzimin e qeverisë, për çka theksoi se është i bindur që shumica opozitare është e gatshme për një gjë të tillë.
“AAK në këto dy vite e gjysmë ka pasur pozicione shumë të qarta në Kuvend, ka pasur momente kur i kemi thënë jo dhe po ligjeve, marrëveshjeve ndërkombëtare dhe në fakt marrëveshjes Kosovë-Serbi. Ne kemi ngritur një mocion sepse mendojmë që mënyra e vetme demokratike është kjo. Kemi qenë shumë të qartë nga fillimi. Sa i përket masave të Qeverisë ne ato i bëjmë në Kuvend, përderisa në aspektin e bojkotimit kemi marrë një vendim i cili do të reflekton në komisione, kryesi e seancë. Mirëpo e shohim rrugën tjetër, që partitë opizitore që kanë biseduar me shefat e grupeve, kanë shprehur gatishmëri, t’i vendosin nënshkrimet dhe ta sjellin një vendim në Kuvend. Jam i bindur se një shumicë shqiptare pa ‘Listën Srbska’ është e gatshme që t’ia jap verdiktin e merituar kësaj qeverie”, tha Tahiri.
Ndërkaq deputeti nga kjo parti, Shemsedin Dreshaj foli për Projektligjin e ri për pensionet.
Sipas tij, ky projektligj duhet të debatohet në Kuvend pasi ka shumë paqartësi.
“Vendimi i djeshëm nuk ka të bëjë asgjë me vullnetin praktik dhe premtimin e dhënë në kampanjat zgjedhore, por ka të bëjë me një imponim nga Gjykata Kushtetuese. Ky ligj sipas rregullës ka qenë dashur t’i nënshtrohet të gjitha procedurave legale, të hartimit, të debatit publik, debatit parlamentar, të debatit në komisione funksionale të Kuvendit për shëndetësi dhe mirëqenie sociale, dhe pastaj të vihet për aprovim. Të gjitha këto procedura janë shkuar me një rrugë të torturuar, madje as debat publik fare nuk kemi pasur. Dhe, ne nuk kemi informatë që palët e interesit sot a janë të kënaqura me këto propozime apo jo. Ky ligj aktualisht në formën që na është propozuar është shumë konfuz përkundër rekomandimeve që kemi dhënë që në mënyrë të largohet 15-vjetëshi dhe të largohet neni diskriminues 5, i udhëzimit administrativ”, tha Dreshaj.
Dreshaj shtoi se paragrafi i dytë në këtë ligj është i paqartë, dhe sipas tij, nëse ky paragraf do të jetë funksional, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është implementuar në tërësi.
“Ky ligj fatkeqësisht ka edhe një paragraf që është i paqartë, bëhet fjalë për paragrafin dy të këtij neni ku definohen disa kategori si të papërcaktuara, çfarë ka në të, vërtetë është për tu diskutua. Kjo mbetet ta debatojmë në Kuvend lidhur me kompetencat e kësaj pjese, për shkak se nëse ky paragraf do të jetë funksional, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është implementuar në tërësi”, tha mes tjerash Dreshaj.